Nis seanca ndaj Nagip Krasniqit, çfarë tha dëshmitarja

Nis seanca ndaj Nagip Krasniqit, çfarë tha dëshmitarja

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seancë gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Në seancë do të dëgjohet dëshmia e dëshmitares Arjeta Saraqi, ekonomiste në KEK, teksa Avokatura Shtetërore, në cilësinë e palës së dëmtuar, mungoi në këtë shqyrtim gjyqësor.

Prokurorja e rastit, Fikrije Zejnullahu, e pyeti Saraqin nëse i kujtohet përmbajtja e dëshmisë që dha në Prokurori, gati 3 vjet më parë.

“Për aq sa ju kujtohet dhe e mbani mend dëshminë tuaj, a e mbështetni atë që keni deklaruar”, pyeti Zejnullahu, për të marrë përgjigjen “Po” nga dëshmitarja Saraqi.

Saraqi pohoi para trupit gjykues se detyrat e saj në kabinetin e Krasniqit kanë qenë në bazë të përshkrimit të punës, që përkojnë me menaxhimin e aktiviteteve të kryeshefit të KEK-ut.

Saraqi po ashtu deklaroi se ka aranzhuar dhe marrë pjesë në takime të Krasniqit me zyrtarë, lidhur me aktivitetin të prokurimit për riparimin e kaldajës në Termocentralin “Kosova A” – Blloku A5. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores, Saraqi pohoi se nuk e njeh Isuf Zejnën, dhe nuk ka qenë në dijeni për raportin e tij me Krasniqin.

“E kam pyetur se kush është dhe [Nagip Krasniqi] veç më ka thanë se është Isuf Zejna dhe po vjen me e marrë autorizimin për me iu përgjigjë ftesës së Prokurorisë” deklaroi Saraqi.

Nga ana tjetër, avokati i Krasniqit disa herë e kundërshtoi qasjen e prokurores Fejzullahu dhe menyrën e të parashtruarit të pyetjeve për dëshmitaren. Kujtojmë se në seancën e 15 janarit, prokurorja Fejzullahu deklaroi se, pas administrimit të provave, do të arrihet zbardhja e plotë e gjendjes faktike dhe provimi i fajësisë së të akuzuarve.

Më 30 dhjetor të 2024-tës, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”./Periskopi/

Shpërndaje në: