Një muaj arrest shtëpiak ndaj policit që dyshohet se rrahu kolegen

Një muaj arrest shtëpiak ndaj policit që dyshohet se rrahu kolegen

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit S.H, i dyshuar për rrahjen e koleges.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se gjatë periudhës së arrestit shtëpiak, i dyshuari nuk mund të largohet nga shtëpia e tij, përveç kur kjo është e domosdoshme për përmbushjen e nevojave jetësore dhe vetëm me lejen e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rast të shkeljes së kësaj mase, thuhet se gjykata mund të caktojë masën e paraburgimit.

Në njoftim thuhet se të pandehurit iu caktua masa e arrestit shtëpiak pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, konstatoi se pretendimet e prokurorit se ndaj të pandehurit duhet të caktohet masa e paraburgimit si masë më e rëndë izoluese për të penguar rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nuk qëndrojnë.

Kjo pasi që thuhet se gjykata është e bindur se edhe me masën e arrestit shtëpiak mund të arrihet pengimi i ndikimit në të dëmtuarën si dhe mund të pengohet rreziku i përsëritjes së veprës penale.

“Andaj, duke pas parasysh se sipas nenit 173 par.2 të KPRK-së sipas së cilës “me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatoj për të siguruar praninë e të pandehurit, gjykata detyrohet ti merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të siguroj që të mos zbatoj masën më të rëndë kur mjafton masa më e butë”, gjykata vlerësoj se duke ju referuar rrethanave të rastit, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë si masë më e rëndë duhet të caktohet vetëm si masë përjashtuese, ngase mbajtja e të pandehurit në paraburgim asnjëherë nuk duhet të jetë masë ndëshkuese, por duhet të kihen parasysh faktet e çështjes penale për çka ka gjetur se në rastin konkret masa e arrestit shtëpiak ofron siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal dhe të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

S.H dyshohet për vepër penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, par.3 lidhur me par.1 nënpar. 1.3 të KPRK-së dhe vepër penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të KPRK-së.

Kundër këtij vendimi, thuhet se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, seanca e paraparë për të mërkurën, për shqyrtimin e masës së paraburgimin, ishte anuluar me arsyetimin se i dyshuari nuk është sjellë në seancë për shkaqe shëndetësore.

Më 16 maj, Inspektorati Policor i Kosovës kishte arrestuar zyrtarin policor S.H në Pejë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”, duke lënduar rëndë dhe kanosur kolegen e punës.

Shpërndaje në: