Numërohet populli: Vetëvendosje përfaqëson vetëm 11,26% të popullit të Kosovës

Numërohet populli: Vetëvendosje përfaqëson vetëm 11,26% të popullit të Kosovës

“Populli” është bërë kryefjala e Lëvizjes Vetëvendosje në situatën aktuale politike. Por, kush është dhe sa i madh është populli? Madje, cili ishte në të vërtetë vullneti i popullit dhe si përfaqësohet ai? Këtë do ta marrim vesh, kësaj here përmes numrave.

“Në emër të popullit, je i arrestuar!” – është një frazë që e kemi dëgjuar shpesh në filmat e Kinematografisë “Shqipëria e Re”.

Në emër të popullit, duhen zgjedhje të reja – thotë aktualisht Lëvizja Vetëvendosje, e cila e konteston formimin e një qeverie të re megjithëse e rrëzuan qeverinë aktuale në detyrë përmes veprimeve të pamatura ndaj partnerit të saj, LDK-së, dhe përmes konfrontimeve me ShBA-të.

“Populli” ishte në gojën e kryeministrit Kurti, zv.kryeministrit Haki Abazi, dhe në gojët e të gjithë aktivistëve të kësaj partie. Por, a e përfaqëson Vetëvendosje popullin e Kosovës?

Përgjigjja në këtë pyetje është PO. Megjithatë, Vetëvendosje e përfaqëson vetëm një pjesë të caktuar të popullit të Kosovës.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, Vetëvendosje i mori 26,27 për qind të votave ose 221 mijë e 1 vota.

Sidoqoftë, Vetëvendosje nuk përfaqëson as 26,27 për qind sepse populli është më i madh se sa thjesht numri i njerëzve që dolën në votime në ato zgjedhje. Sipas KQZ-së, numri i votuesve të regjistruar për të votuar në këto zgjedhje ishte 1 milion e 961 mijë.

Në bazë të një kalkulimi të thjeshtë, nëse përpjestojmë numrin 1 milion e 961 mijë me numrin 221 mijë e 1 votë, del se Vetëvendosje përfaqëson vetëm 11,26 për qind të votuesve kosovarë. Dhe natyrisht, numri i votuesve nuk është numri i tërësishëm i pjesëtarëve të popullit, gjë që nënkupton se përqindja përfaqësuese e kësaj partie do të ishte edhe më e vogël.

Por, sa për qind të popullit votues përfaqësojnë partitë e tjera?

Në bazë të zgjedhjeve të 6 tetorit, LDK përfaqëson 10,53 për qind ndërsa PDK 9,10 për qind. E kështu me radhë.

Nga kjo mësojmë që populli nuk është një njësi e vetme dhe e pandarë që komunikon drejtpërsëdrejti me partinë që del e para në zgjedhje.

Zakonisht, liderët të cilët kanë përdorur në mënyrë abuzive termin “popull” janë quajtur “populistë” pikërisht për shkak se shpërfillnin krejtësisht grupet dhe diversitetin e ndryshëm (jo vetëm politik) të pjesëtarëve të saj. /Periskopi

Shpërndaje në: