Numri i të vdekurve në Gaza është shumë më i lartë se shifrat zyrtare, tregon studimi
Numri i vdekjeve në Gaza gjatë 16 muajve të parë të luftës tejkaloi 75,000 – shumë më i lartë se shifrat zyrtare në atë kohë, sipas një punimi të ri të botuar në revistën The Lancet Global Health.
Sondazhi i Vdekshmërisë në Gaza vlerësoi 75,200 “vdekje të dhunshme” në Gaza midis 7 tetorit 2023 dhe 5 janarit 2025.
Në atë datë në vitin 2025, ministria palestineze e shëndetësisë raportoi se numri i të vdekurve ishte 49,090.
Studimi i ri, i publikuar të mërkurën, sugjeron se shifra aktuale ishte rreth 35% më e lartë.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se përqindja e grave, fëmijëve dhe të moshuarve të vrarë në Gaza, siç raportohet nga zyrtarët e shëndetësisë, ishte e saktë, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Studimi zbuloi se 42,200 gra, fëmijë dhe të moshuar pësuan “vdekje të dhunshme” deri më 5 janar 2025, duke përbërë 56% të totalit.
“Provat e kombinuara sugjerojnë se, që nga 5 janari 2025, 3.4% e popullsisë së Rripit të Gazës ishte vrarë me dhunë dhe ka pasur një numër të konsiderueshëm vdekjesh jo të dhunshme të shkaktuara indirekt nga konflikti”, shkruan autorët e studimit.
Autorët përfshijnë një ekonomist, demograf, epidemiolog dhe specialistë të anketave.
Një nga autorët, Michael Spagat, profesor i ekonomisë në Royal Holloway, tha se studimi i ri sugjeronte se 8,200 vdekje të tjera në Gaza deri në janar 2025 i atribuoheshin efekteve indirekte, duke përfshirë kequshqyerjen dhe sëmundjet e patrajtuara.
Bëhet e ditur se studimi përfshinte intervista me 2,000 familje.
Ata u përzgjodhën me kujdes për të përfaqësuar popullsinë dhe iu kërkua të jepnin detaje rreth vdekjeve midis anëtarëve të familjes. /Periskopi/



