Nurellari: Vetëvendosja dështoi në imitimin e fushatës elektorale me vaksina të Ramës

Nurellari: Vetëvendosja dështoi në imitimin e fushatës elektorale me vaksina të Ramës

Adri Nurellari i Partisë Demokratike të Kosovës ka komentuar mbi lajmin e fundit të mediave për skadimin e 130 mijë vaksinave, duke e konsideruar si provë të dështimit të strategjisë së Qeverisë së Vetëvendosjes për t’i instrumentalizuar vaksinat si pjesë të fushatës elektorale. Sipas tij kjo qeveri është përpjekur që të imitojë Edi Ramën i cili e përdori me sukses vaksinimin masiv pak javë para zgjedhjeve, për të fituar vota. Sipas tij “ sikurse edhe kryeministri i Shqipërisë, kryeministri aktual e la importimin dhe administrimin e vaksinave për moment të fundit duke shpresuar që të shërbenin si asi në mëngë për vota”

Nurellari, i cili para pak ditësh është zgjedhur si Sekretar për Politika Programore i PDK-së, thekson se qeveria e Vetëvendosjes ka dështuar në imitimin e strategjisë së suksesshme elektorale të qeverisë socialiste, së pari sepse nuk di të menaxhojë, sikurse edhe po e tregon situata e shërbimit diplomatik. Po ashtu për dështimin e vaksinimit, ai bën fajtor edhe ministrin Vitia për të cilin thotë se ka neglizhuar detyrën e ministrit të shëndetësisë për t’u marrë me fushatën zgjedhore të Prishtinës.

Së fundmi, anëtari i kryesisë së PDK-së, thekson se qeveria aktuale po e tejkalon paraardhësen e LDK-së me dështimin e menaxhimit të pandemisë. Ai thotë se për këtë qeveri ballafaqimi me pandeminë ka qenë shumë më e lehtë sesa për qeverinë e Hotit, sepse ka kaluar një vit prej nisjes së pandemisë dhe virusi është më i njohur dhe protokollet mjekësore dhe masat efikase për tu ballafaquar me të tashmë janë sprovuar.

Teksti i plotë i postimit të tij është si më poshtë:

Lajmi që 130 mijë vaksina kanë skaduar ,në vend që t’iu jepeshin qytetarëve të rrezikuar, tregon se qeveria e Vetëvendosjes po dështon me strategjinë e elektorale për t’i përdorur vaksinat si fushatë për zgjedhje që ka imituar nga Edi Rama në Shqipëri. Më kot përpiqen qytetarët e shkretë për të caktuar termine për t’u vaksinuar, ndërkohë që vaksinat janë çuar në mënyrë të papërgjegjshme dëm. Pra nga dëshira për t’i lënë vaksinat për t’u injektuar pranë zgjedhjeve faktikisht ka çuar në skadimin e tyre. Po ashtu sikurse edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe kryeministri i Kosovës e la importimin dhe administrimin e vaksinave për moment të fundit duke shpresuar që të shërbenin si asi në mëngë për vota. Rama e bëri këtë gjë sivjet duke importuar sasi të mëdha vaksinash e nisur injektimin e tyre masivisht vetëm pak javë para zgjedhjeve. Madje sikurse Rama, edhe qeveria aktuale refuzoi ofertat e hershme për vaksina nga vende të tjera, pikërisht se kishte në plan që t’i përdorte ato në periudhën parazgjedhore për të rritur popullaritetin duke u shitur si shpëtimtar.

Mirëpo ndryshe nga Shqipëria, qeveria e tashme kosovare dështoi me instrumentalizimin e vaksinave pra të jetëve të qytetarëve për qëllime elektorale, dhe situata i ka dalë e gjitha jashtë kontrollit. Së pari ka të bëj me paaftësitë menaxheriale, njëjtë sikurse po e shohim edhe me shërbimin diplomatik ku ka shkarkuar pothuaj gjithë ambasadorët por në gjashtë muaj qeverisje nuk i ka dalë ende të gjejë zëvendësuesit. Po ashtu ministri Vitia i rrezitur prej plazhit të gushtit, me sa duket është marrë më shumë me garën për kryetar të Komunës së Prishtinës sesa me pozitën e ministrit të shëndetësisë. Një ndër arsyet e tjera kryesore është padyshim masivizimi i versionit Delta të Covid 19 i cili përhapet tepër shpejt e prek edhe të vaksinuarit, ndërkohë që që në Shqipëri gjatë pranverës nuk ishte shfaqur ende ky version i virusit.

Qytetarët e Kosovës u tmerruan nga keq-administrimi i pandemisë nga qeveria Hoti, e cila për të miratuar një pako të mjerë të rimëkëmbjes, u përpoq shumë herë për muaj me radhë në parlament, dhe prandaj dyfishuan votat për Vetëvendosjen. Mirëpo me sa duket për Vetëvendosjen më shumë rëndësi kanë votat sesa jetët që humbin prej taktizimit elektoral të luftës kundër pandemisë. Qeveria aktuale po tregohet shumë më e paaftë sesa ajo LDK-së dhe shifrat e viktimave të virusit gjatë qeverisjes në fuqi janë disa herë më të larta edhe pse bëhet fjalë për një vit më pas nisjes së pandemisë, kur virusi nuk është më i panjohur dhe protokollet mjekësore dhe masat efikase për tu ballafaquar me të tashmë janë sprovuar.

Shpërndaje në: