Nxehtësia ekstreme kaplon Evropën, – Kosova drejt 37°C
Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Jugore, me temperatura ekstreme që në disa zona të Spanjës kanë arritur deri në 46°C. Franca kontinentale është vënë pothuajse e tëra nën alarm për shkak të kushteve të rënda klimatike.
Për disa ditë me radhë, temperaturat përvëluese kanë goditur Portugalinë, Spanjën, Francën, Italinë dhe Greqinë – një valë e nxehtësisë e përkeqësuar nga ndotja me karburante fosile dhe efektet e ndryshimeve klimatike.
Autoritetet në shumë prej këtyre vendeve kanë lëshuar paralajmërime shëndetësore, ndërsa zjarrfikësit janë mobilizuar për të parandaluar përhapjen e zjarreve në pyje. Në Turqi, situata është përshkallëzuar, me mbi 50 mijë persona të evakuuar nga shtëpitë për shkak të vatrave të zjarrit, sipas autoriteteve të menaxhimit të emergjencave.
Vala e të nxehtit pritet të godasë edhe Kosovën, ku gjatë fundjavës temperaturat do të arrijnë deri në 37°C. Sipas parashikimeve të BBC Weather, nga dita e enjte e tutje, vendi do të përjetojë temperatura të larta që do të variojnë mes 35 dhe 37°C për të paktën një javë./Periskopi/



