Obama: SHBA përballet me krizë politike pas vrasjes së Charlie Kirk
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka paralajmëruar për një “krizë politike të llojit që nuk e kemi parë më parë” pas vrasjes së Charlie Kirk. Duke folur në një event në Pensilvani të martën, Obama tha se nuk e njeh Kirk dhe nuk pajtohet me shumë nga qëndrimet e tij, por e quajti vrasjen “të tmerrshme dhe një tragjedi”.
Sipas BBC, ai kritikoi komentet e Donald Trump ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe përmendi presidentë republikanë të kaluar që, sipas tij, kanë theksuar unitetin kombëtar në momente të tensioneve të larta.
Si përgjigje, Shtëpia e Bardhë e quajti Obamën “arkitektin e ndarjes moderne politike”. Kirk, 31 vjeç, vdiq nga një plumb i vetëm gjatë një fjalimi në Utah Valley University në Orem më 10 shtator. Të martën, Tyler Robinson, 22 vjeç, u akuzua zyrtarisht për vrasjen e Kirk. Prokurorët thanë se do të kërkojnë dënimin me vdekje.
Prokurori i Qarkut të Utah tha se Robinson kishte dërguar mesazhe që thuhej se thoshin se e vrau Kirk sepse “kishte mjaft nga urrejtja e tij”. Para se Robinson të kapej, aleatë të lartë të Trump akuzuan për vrasjen aktivistë të majtë dhe retorikë nga ligjvënësit demokratë dhe mbështetësit e tyre.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi ka sugjeruar se administrata do të reagojë ndaj “gjuhës së urrejtjes”, megjithëse nuk ekziston ligj specifik federal për urrejtjen në SHBA. Zv/presidenti JD Vance ka bërë thirrje që të ekspozohen ata që festuan, aprovuan vrasjen, ose që ishin kritikë të Kirk, pas ngjarjes.
Në Erie, Pensilvani, Obama tha: Mendoj se në momente si këto, kur tensionet janë të larta, pjesë e punës së presidentit është të bashkojë njerëzit.
Ai bëri thirrje që amerikanët të “respektojnë të drejtën e të tjerëve për të thënë gjëra me të cilat nuk pajtohemi thellësisht”.
Obama lavdëroi guvernatorin republikan të Utah, Spencer Cox, për korrektësinë që tregoi në reagim, duke thënë se ai ka treguar “se është e mundur që të mos biem dakord, ndërsa respektojmë një kod për si duhet të zhvillohet debati publik”.
Ai gjithashtu përmendi reagimin e guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro, një demokrat, shtëpia e të cilit u sulmua me bombë zjarri më herët këtë vit në atë që policia tha se ishte një sulm me qëllim.
Ish-Presidenti Obama e krahasoi këtë me reagimet në rastet e mëparshme: pas një masakre në një kishë në Karolinën e Jugut në vitin 2015, dhe pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ku George W. Bush theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me islamin.
“Dhe kur dëgjoj jo vetëm presidentin tonë aktual, por ndihmësit e tij, që quajnë kundërshtarët politikë ‘krimba’, armiq që duhet ‘targetuar’, kjo tregon për një problem më të përgjithshëm që kemi tani dhe diçka me të cilën të gjithë duhet të përballemi”, tha Obama./Periskopi/



