Opozita nuk bëzan për takimin ‘jonormal’ Kurti – Vuçiq: Deri tani foli veç Haradinaj

Opozita nuk bëzan për takimin ‘jonormal’ Kurti – Vuçiq: Deri tani foli veç Haradinaj

Përveç Ramush Haradinajt (i cili shkroi teksa po e shkruanim këtë tekst), liderë të tjerë të opozitës nuk janë deklaruar lidhur me takimin Kurti – Vuçiq në Bruksel.

**

Një takim që Përfaqësuesi i lartë evropian, z.Josep Borrell, e quajti dje ‘jonormal’ (“Ky nuk ishte një takim normal” tha ai) është zhvilluar në Bruksel midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Jonormal, për faktin se siç tha Borrell, ishte një takim si përpjekje për të shtensionuar situatën e krijuar së fundmi në Veriun e Kosovës.

Lidhur me këtë takim, asnjë lider partie opozitare – deri në këto momente – nuk ka dhënë ndonjë qëndrim.

Mund të ketë pasur dhe ka figura të tjera të partive politike që kanë lëshuar ndonjë deklaratë në rrjete sociale, por deri tani, nuk kanë folur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku e teksa po e shkruanim këtë tekst, e patën ndërmend ta përmendnim edhe Haradinajn e AAK-së, por papritmas ai publikoi një mesazh në Facebook, ku shkruan:

“Zbatimi i rendit dhe ligjit në tërë vendin, duhet të ndodh në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.  Dialogu i deritashëm nuk guxon të zbehet e të rikthehemi prapë të flasim për të njëjtat tema.  Amerika kësaj here i dha shtytje procesit të udhëhequr nga BE dhe ndihmoi dhe e riktheu normalitetin në raportet Kosovë-Serbi.  Duke i shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut, është momenti i duhur që BE ta dorëzojë portfolion te Presidenti Biden, për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi”.

Ndërkohë dje, ne kemi dëgjuar edhe nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila në një deklaratë për Klanin, tha se ‘Kurti – megjithëse nuk ka komunikuar aspak me opozitën’ e ka mbështetjen e partisë së saj në procesin e dialogut me Serbinë./Periskopi/

Shpërndaje në: