Orav: Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe dialog të vazhdueshëm me Serbinë

Orav: Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe dialog të vazhdueshëm me Serbinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme dhe nënvizoi rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai këto deklarata i bëri gjatë Samiti të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS) me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike”.

“Për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, mundësia ekziston, por kërkon angazhim serioz. Në këtë kontekst, rruga e Kosovës ka rëndësi të veçantë. Bashkimi Evropian ka qenë i qartë: përparimi varet jo vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga avancimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale, forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e lirisë së mediave, sigurimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës. Këto nuk janë pengesa të vendosura nga Bashkimi Evropian, ato janë themele për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm. Por për të ecur përpara, na duhet qeveria këtu sa më shpejt të jetë e mundur. Na nevojitet një partner. Bashkimi Evropian duhet të mbetet i angazhuar, i qëndrueshëm dhe mbështetës. Dhe ne jemi. Angazhimi ynë ndaj rajonit është thelluar, jo dobësuar. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim”, u shpreh Orav./Periskopi/

Shpërndaje në: