OSHP rrëzon tenderin e Universitetit të Prishtinës për shkelje ligjore, kontrata anulohet në tërësi
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka aprovuar ankesën e kompanisë Inovix SH.P.K., kundër vendimit të Universitetit të Prishtinës për dhënien e kontratës për furnizimin me materiale shpenzuese dhe pajisje speciale mjekësore. Vlera e tenderit ka qenë 50 mijë e 500 euro, dhe kishte të bënte me pajisje dhe materiale për katedrat dhe departamentet mjekësore të universitetit.
Ankesa e Inovix SH.P.K. është aprovuar pjesërisht, duke çuar në anulimin e plotë të aktivitetit të prokurimit dhe të vendimit për dhënien e kontratës. OSHP ka konstatuar se vendimi i Universitetit për të shpallur fitues kompaninë I & F Medica SH.P.K. kishte shkelur disa parime bazë të prokurimit publik, duke cenuar barazinë, transparencën dhe vlerësimin objektiv të ofertave, raporton Periskopi.
“Anulohet B58 Njoftimi mbi Vendimin e AK të UNIVERSITETI I PRISHTINËS, ndërkaq aktiviteti i prokurimit Materiali shpenzues dhe pajisje speciale mjekesore me numër të prokurimit 242-25-9414-1-2-1 anulohet në tërsi”, thuhet në njoftim.
Në arsyetim OSHP thekson se oferta e kompanisë fituese nuk përmbushte kërkesat e qarta teknike të tenderit. Shumë produkte ishin paraqitur vetëm me fotografi, pa emër prodhuesi, pa specifikime teknike dhe pa katalogë apo broshura të vlefshme, gjë që e bënte të pamundur verifikimin e përputhshmërisë me kërkesat e dosjes së tenderit.
“Konkretisht, operatori ekonomik i shpallur fitues ka paraqitur një ofertë thellësisht të papërgjegjshme, e cila nuk përmbush kërkesat e qarta dhe të detajuara të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Oferta përmban pasaktësi të shumta dhe gabime të rënda në paraqitjen e katalogëve të produkteve. Mungesa e specifikimeve të plota, informacionit mbi markat e prodhuesve, karakteristikat teknike dhe cilësinë e produkteve përbën shkelje flagrante të kërkesave të tenderit dhe të rregullave të prokurimit publik.Në këtë mënyrë, oferta nuk mund të konsiderohet e besueshme dhe e vlefshme për t’u vlerësuar, pasi është e pamundur të verifikohet përputhshmëria e produkteve të ofruara me kriteret teknike të kërkuara. Katalogu i paraqitur është i paplotë dhe i paqartë, duke krijuar pasiguri të thellë lidhur me cilësinë dhe përputhshmërinë e produkteve, dhe për pasojë, e bën të pamundur një vlerësim të drejtë, objektiv dhe të saktë të ofertës”, thuhet në vendim.
Po ashtu, në disa pozita, produktet e ofruara nuk përputheshin fare me ato të kërkuara, si p.sh. dorëzat latex të kërkuara ishin paraqitur si dorëza nitrile, dhe disa materiale kimike nuk përmbushnin përqendrimin e saktë të komponentëve.
“OE nuk ka paraqitur katalog apo broshurë sipas kërkesës së AK-së. Për më tepër, janë paraqitur foto të dorëzave nitrile, të cilat janë krejtësisht të ndryshme nga dorëzat latex të kërkuara. Përshkrimi teknik i bërë nga OE është i pasaktë, pasi “nitrile gloves” nënkuptojnë dorëza pa latex (latex-free), çka përbën ofertim të gabuar”, thuhet tutje.
OSHP ka konstatuar gjithashtu se gjatë procedurës së tenderimit nuk ishte respektuar parimi i barazisë dhe konkurrencës së ndershme, pasi gabimet dhe pasaktësitë e ofertës së fituesit mund të kishin krijuar avantazh të padrejtë në raport me operatorët e tjerë pjesëmarrës.
“Për të gjitha arsyet e cekura më lart, kërkojmë me urgjencë që Autoriteti Kontraktues ta kthejë këtë aktivitet në ri-vlerësim dhe të shpallë fituese vetëm ofertën që përmbush plotësisht dhesaktësisht kërkesat e Dosjes së Tenderit, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe trajtimit të barabartë” thuhet tutje.
Sipas vendimit të OSHP-së, Universiteti i Prishtinës ka detyrim të raportojë për veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, përndryshe OSHP mund të ndërmarrë masa ligjore për moszbatim të vendimit.
“Në afat prej 10 ditësh, AK duhet ta informojë OSHP për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, në të kundërtën, OSHP ka të drejtë të ndërmarrë masa ndaj AK për mos respektim të vendimit sikurse parashihet me dispozitat e nenit 131 të LPP”, thuhet në vendim.
Po ashtu, mjetet e deponuara nga Inovix SH.P.K. për ankesën e parashtruar do të kthehen në llogarinë e kompanisë.
“Kthehen mjetet e deponuara në emër të taksës tarifore për parashtrimin e ankesës në llogarinë e Operatorit Ekonomik ” Inovix ” SH.P.K.”, thuhet në vendim./Periskopi




