Osmani: Sot është një ditë e rëndësishme, shpresoj të kemi një proces pa asnjë incident

Periskopi.com Lajme

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar te gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që po mbahen në 21 komuna të Republikës së Kosovës.

Duke folur për rëndësinë e kësaj dite, presidentja Osmani tha se detyrimi qytetar për të kontribuar për demokracinë e vendit nuk ka përfunduar më 17 tetor.

Presidentja pasi që votoi në qendrën e votimit “1 Tetori” tha po ashtu se pret që të ketë pjesëmarrje aktive të qytetarëve në këtë raund të dytë të zgjedhjeve lokale dhe që i gjithë procesi të rrjedhë mirë e pa asnjë incident.

“Sot është një ditë po aq e rëndësishme, e cila përcakton fatin e komunave ku secili prej jush dhe prej nesh jeton. Prandaj, është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij obligimi qytetar, në mënyrë që nesër dhe pasnesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë. Shpresoj vërtet që sikurse edhe në të kaluarën, dhe sidomos zgjedhjet që u mbajtën më 17 tetor, të kemi pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe të kemi një proces pa asnjë incident në mënyrë që të konsiderohet demokratik dhe i lirë”, ka thënë Osmani.

Osmani ishte e shoqëruar nga bashkëshorti.