Osmani takon Prattipatin: Kuvendi të themelohet brenda afatit të aktgjykimit të Kushtetueses
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipati, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit politik në vend, fushën e sigurisë, ekonomisë dhe të mbrojtjes, raporton Periskopi.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të themelohet brenda afatit sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Njofitmi i plotë:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutua për vizitën e fundit të Presidentes Osmani në SHBA, takimet e shkëlqyeshme të zhvilluara me zyrtarë të lartë të Administratës Trump, si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.
Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes.
Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë.



