Pamje “apokaliptike”, zjarri përfshin arën me grurë në Istog

Pamje “apokaliptike”, zjarri përfshin arën me grurë në Istog

“Lufta” me zjarret është duke vazhduar tash e disa ditë në Kosovë.

Për shkak të motit të nxehtë që ka mbizotëruar në këto ditë, shumë vatra zjarri janë zgjeruar në territore fushore në Kosovë.

Sipas disa pamjeve të publikuar nga një qytetar, shihen momentet kur zjarri kaplon një fushë në Istog.

Ai ka bërë të ditur se nuk ka pasur dëme në njerëz, teksa ka shprehur mirënjohje për ekipet e zjarrfikësve dhe policisë për reagimin e tyre.

“Faleminderit Zotit që nuk ka pasur dëme në njerëz. Mirënjohje për ekipet e zjarrfikësve, policisë dhe të gjithë ata që nuk u ndalën asnjë çast! Urojmë që një situatë e tillë të mos përsëritet kurrë”, thuhet në postimin e një qytetari nga Istogu të shoqëruar me video dhe fotografi.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (MPB) ka bërë të ditur se, të martën, në territorin e Kosovës janë regjistruar 15 vatra zjarri aktive.

Flakët po përhapen në sipërfaqe të hapura fushore dhe malore, pa shkaktuar deri tani humbje jetësh.

Sipas njoftimit zyrtar, zjarret janë të përqendruara në fshatrat e komunave: Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Gjakovë, Klinë, Podujevë dhe Novobërdë.

Megjithëse humbje njerëzore nuk ka pasur, dëmet materiale në tokë dhe infrastrukturë janë evidente, sidomos në zonat pyjore dhe kullotat përreth./Periskopi/

Shpërndaje në: