“Panama” rrëzon qeverinë islandeze

“Panama” rrëzon qeverinë islandeze

Megaskandali financiar ndërkombëtar “Panama Papers”, lëkundjet e para i shkaktoi në Islandë. Kryeministri i vendit dha dorëheqje

Rrjedhja e të dhënave nga kompania ligjore panameze “Mossack Fonseca”, ka demaskuar lidhjet e politikanëve dhe njerëzve të famshëm në mbarë botën me kompanitë “off-shore” në Panama. Pasi që i janë zbuluar llogaritë sekrete jashtë vendit, kreu i qeverisë së Islandës, Sigmundur Gunlaugson, është vënë nën presion të madh.

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Rejkjavik për të kërkuar dorëheqjen e tij. Opozita ka kërkuar një votëbesim në parlament. Kryeministri islandez, Sigmundur David Gunnlaugsson, i cili mohon përfshirjen e tij në këtë skandal, i ka paraqitur zyrtarisht Presidentit të vendit, Olafur Grimsson, kërkesën për shpërbërjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo vjen pas deklaratës së tij, në të cilën ai shprehej se do kërkonte shkrirjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nëse nuk merrte mbështetjen e aleatëve të tij në qeveri, transmeton “Zeri”

Sipas Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarisë Hulumtuese (ICIJ), e cila i referohet “Panama Papers-it”, Gunlaugson në vitin 2007 së bashku me gruan e tij hapi një kompani private fiktive në Ishujt e Virgjër britanikë, e cila ishte në fakt vetëm një kuti postare. Atje janë transferuar miliona dollarë, të cilat gruaja e tij i kishte trashëguar nga babai i saj. Në fund të vitit 2009, ai i kishte bartur të gjithë aksionet e kompanisë fiktive në pronësi të gruas së tij për një shumë simbolike prej një dollari.

Por ai tashmë kah mesi i vitit të kaluar hyri në parlament, mirëpo kishte fshehur informacionet në lidhje me asetet, sepse, siç u shpreh ai përpara Parlamentit, nuk dëshironte që pasuria e gruas së tij të bëhet temë gjatë fushatës zgjedhore. “Sigurisht që do të dëshiroja që gruas time të mos i përkiste firma”, tha kryeministri islandez. Këshilla rreth investimeve financiare fitimprurëse, Gunlaugson dhe gruaja e tij kanë marrë nga firma ligjore panameze “Mossack Fonseca”.

Shpërndaje në: