Papa Leoni: Mos flisni me të dashurat tuaja të krijuara me AI, ndryshe do të përballeni me pasoja të dhimbshme
Papa Leoni XIV ka paralajmëruar besimtarët, veçanërisht burrat, që të mos bien pre e marrëdhënieve virtuale me chatbotë të inteligjencës artificiale, duke theksuar se këto lidhje “tepër të përkëdhelura” mund të kenë pasoja serioze emocionale dhe shoqërore.
Në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimeve Sociale, Papa u shpreh se në botën digjitale të sotme po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh nëse po komunikon me njerëz realë apo me robotë. Ai theksoi rëndësinë urgjente të “ruajtjes së zërave dhe fytyrave njerëzore”, duke paralajmëruar se pa marrëdhënie reale nuk mund të ketë miqësi apo lidhje të vërteta.
“Fytyrat dhe zërat janë të shenjtë,” tha Papa, duke shtuar se teknologjia digjitale rrezikon të ndryshojë themelet e qytetërimit njerëzor.
Papa Leoni XIV pranoi se chatbotët me AI mund të jenë argëtues, por i cilësoi ata si mashtrues, sidomos për personat më të pambrojtur. Sipas tij, për shkak se janë gjithmonë të pranishëm dhe emocionalisht “të dashur”, ata mund të ndikojnë në gjendjen emocionale të individëve dhe të pushtojnë sferën e intimitetit personal.
Ai paralajmëroi gjithashtu se zëvendësimi i marrëdhënieve njerëzore me sisteme të inteligjencës artificiale mund të dëmtojë jo vetëm jetën personale, por edhe strukturën sociale, kulturore dhe politike të shoqërisë.
Papa kritikoi edhe algoritmet e rrjeteve sociale, duke thënë se ato favorizojnë emocionet e shpejta dhe dëmtojnë mendimin kritik, duke rritur polarizimin shoqëror.
Megjithatë, ai theksoi se inovacioni digjital nuk duhet ndalur, por duhet drejtuar me kujdes, duke qenë të vetëdijshëm për natyrën e tij të dyfishtë.
Ky nuk është paralajmërimi i parë nga Vatikani për rreziqet e inteligjencës artificiale. Në vitin 2024, Papa Françesku kishte deklaruar se teknologjitë simuluese bëhen “të rrezikshme kur shtrembërojnë marrëdhëniet tona me realitetin dhe me njëri-tjetrin”, duke kërkuar më shumë rregullim të AI për të shmangur pasojat e dëmshme dhe diskriminuese./Periskopi/



