Paralajmëron Haziri: Jemi të gatshëm edhe për zgjedhje

Paralajmëron Haziri: Jemi të gatshëm edhe për zgjedhje

Nënkryetari dhe deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti është e gatshme për zgjedhje, nëse nuk arrihet marrëveshje për çështjen e presidentit. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK pësoi debakël duke rënë në 13%.

Haziri tha se çështja e presidentit është prioritet për LDK’në dhe se beson se LDK do të ketë rol në këtë proces.

“Nëse i kërkohet vendit që qytetarët prapë me vendosë edhe për President, ne jemi të gatshëm edhe për zgjedhje”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka thënë se janë të interesuar si parti për t’i dhënë vendit president.

“Çështja e presidentit është prioritet për LDK’në dhe jemi të interesuar me i dhanë vendit president. Unë besoj shumë që LDK do të ketë rol, atëherë ne kemi me u sjell me racionalitet politik deri në fund”, ka thënë Haziri në RTV Dukagjini.

Në takimin e djeshëm mes Kurtit dhe Abdixhikut, Haziri tha se nuk janë përmendur emra për këtë pozitë.

“Nuk është fol për emra, asnjë emër s’është fol mes liderëve politikë”, shtoi ai.

Kryeministri Albin Kurti tha dje se nuk ka zell për zgjedhje të reja, pas takimeve me kreun e PDK’së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK’së, Lumir Abdixhikun.

Për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë mbetur më pak se dy javë kohë.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur synimin edhe për një mandat, por Kurti dje e qartësoi se ajo nuk është kandidatja e tij për këtë post./Periskopi/

Shpërndaje në: