Partitë, duarkryq për presidentin

Partitë, duarkryq për presidentin

Ndonëse kanë mbetur edhe dhjetë ditë kohë të afatit kushtetues brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti, përfaqësues të partive politike nuk kanë nisur diskutimet mes tyre për kandidatin.

Në Vetëvendosje nuk folën për këtë, e në një parti opozitare thanë se ky është rasti kur subjektet duhet të ndërtohen si bllok kundrejt koalicionit qeverisës.

Kryeministri Albin Kurti ende nuk ka filluar bisedimet me partitë politike për çështjen e presidentit, pavarësisht paralajmërimit të mëhershëm se këtë do ta bëjë sapo të kalojë buxheti për 2026-n.

Një ditë më parë, Kuvendi e ka miratuar buxhetin, e në Lëvizjen Vetëvendosje nuk treguan se kur pritet të fillojnë bisedimet për kandidatin për president. Përgjigje nuk ka dhënë as shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur synimin edhe për një mandat, por nuk është deklaruar nëse ka siguruar votat e nevojshme për t’u rizgjedhur.

Në partinë nga e cila pati dalë Osmani, nuk janë shprehur qartë nëse do ta mbështesin atë.

Shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se përgjigjja mund të dihet, vetëm pasi të formalizohen të gjitha kandidaturat, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.

“Për aq kohë sa nuk kemi emra konkretë, garë me emra konkretë, ne s’mund të japim qëndrime. Gjithsesi, posti i presidentit është tepër i rëndësishëm për secilën parti politike dhe për ne. Kështu që me përkushtimin më të madh do t’i japim kontributin tonë”, ka thënë ajo për Kosovapress, por ka përmendur edhe qëndrimin e mëhershëm për Osmanin. “Përgjatë viteve të kaluara kemi folur shpeshherë edhe për zonjën Osmani, për rolin e saj. E kemi kritikuar për aq kohë sa kemi menduar që nuk ka qenë gardiane e Kushtetutës ose edhe e klimës në mes të partive politike. Ka qenë e njëanshme”.

Kjo zyrtare e LDK-së ka thënë se deri tash nuk ka pasur iniciativë për diskutime ndërpartiake rreth kandidatit për president.

“Numrat janë të qartë në Kuvend, secili ka fuqinë e vet parlamentare. Partitë politike brenda parlamentit do të duhet të kenë një diskutim për postin e presidentit. Idealja do të ishte që të gjenim një president konsensual dhe ai të kalonte si rezultat i një marrëveshjeje politike që bëhet mes partive politike. Po, në bazë të fuqisë që kemi brenda parlamentit, ne mirëpresim çdo ftesë për të diskutuar për emra”, ka thënë Lushaku. “Njëkohësisht, normalisht që kemi edhe ne emrat tanë që mendojmë t’i propozojmë si parti politike, por deri atëherë e presim fazën konsultative dhe pastaj të vendosim për emrat konkretë, se çfarë qëndrimi kemi”.

Por, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se dy partive kryesore në opozitë u ka përcjellë ftesa për të folur në këtë temë.

Ai ka thënë se nëse të tria partitë nuk bëhen bashkë për presidentin, ka rrezik që gjithë mandatin të ecin ndaras.

“Si bllok opozitar ose do të ndërtohemi në këtë nisje, ose do të jemi të thyer. Është totalisht problematike që po hyjmë në javën e fundit pa një diskutim serioz se çfarë do të bëjmë”, ka thënë Tahiri të premten, në ”Interaktiv” të KTV-së.

E, në PDK, deputetë individualisht janë deklaruar kundër rizgjedhjes së Osmanit dhe kanë shprehur gatishmërinë për ta mbështetur një kandidat konsensual.

Vetëvendosja nuk do të mund ta zgjedhë presidentin pa marrëveshje me opozitën, meqë në dy rrethet e para të votimit kërkohet kuorumi prej së paku 80 deputetësh. Kurti ka thënë se është i gatshëm të flasë me subjektet e tjera, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual.

Analisti Basri Muja thotë se partitë politike duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për presidentin dhe t’i shmangin zgjedhjet.

“Gatishmëria e saj edhe për një mandat është një sinjal i qartë politik, por kjo mbetet një proces që mbi të gjitha varet nga marrëveshja brenda shumicës parlamentare dhe nga mundësia për të siguruar votat e nevojshme. Është e rëndësishme që procesi të përfundojë brenda afateve kushtetuese në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional dhe të shmangen skenarë të panevojshëm zgjedhor, të cilët mendoj unë që ende ka kohë të mënjanohen”, ka thënë Muja.

Këtë javë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se është në pritje të kandidaturave për president, për të ftuar seancën për zgjedhjen e tij apo saj. Ajo ka theksuar se e gjithë procedura duhet të përmbyllet deri më 4 mars, por ka rikujtuar se nuk mund të veprojë pa pasur kandidatë që deponojnë edhe nënshkrimet mbështetëse paraprake.

“Unë sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me të. Para së gjithash duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill të 2021-tës, ndërsa detyrën e mori një ditë më pas. Dështimi për ta zgjedhur kreun e shtetit imponon zgjedhje të parakohshme./Periskopi

Shpërndaje në: