Pas 3 milionëshit për dy urat, MI e shpërblen me 480 mijë euro tjera kompaninë e njëjtë për ndërtimin e një rruge në veri
Pas rreth 3 milionëve për ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër, njëra për automjete e tjetra për këmbësorë, Ministria e Infrastukturës, në krye me Hysen Durmishin, e ka shpërblyer përmes negocimit me një tender tjetër në vlerë gati gjysmë milioni euro kompaninë “EUROKOS HOLDING SH.P.K”.
Kontrata e re, me vlerë totale prej 480 mijë euro, i është dhënë kësaj kompanie për ndërtimin e një rruge për ta lidhur urën e re me rrugën kryesore Mitrovicë Veri-Jug.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në platformën e-Prokurimi, MI’ja ka negociuar vetëm me këtë kompani për këtë kontratë, ndryshe nga tenderi për ndërtimin e urave ku ishte negociuar edhe me katër kompani të tjera.
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve si pronar i kësaj kompanie figuron Ylber Shamolli, që ka 100 përqind të aksioneve. Kompania është regjistruar më 7 qershor të vitit 2006 dhe ka 36 punëtorë. Vlerën e kapitalit e ka deklaruar si 100 mijë euro.
Si aktivitet primar, kjo kompani e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, teksa si akivitet sekondar e ka ndërtimin e rrugëve dhe autostradave.
Në njoftim thuhet se punimet për ndërtimin e rrugës do të realizohen sipas projektit të porositur dhe të pranuar nga Komuna e Mitrovicës Veriore.
Projekti për ndërtimin e rrugës nga Ura e re deri te lidhja me rugën Çlirimi në Mitrovicën Veriore, është hartuar nga kompania projektuese “Smart Line”-Prishtinë.
Rruga pritet të përfundojë për 65 ditë.
Kontrata është nënshkruar më 4 shtator.
Ndryshe, njëra urë veçse ka përfunduar së ndërtuari. Për këtë projekt, MI kishte dhënë tender në vlerë prej gati 3 milionë euro.
Oferta më e ulët ka qenë 2 milionë e 890 mijë e 106 euro, teksa më e larta 3 milionë e 420 mijë e 764 euro.
Pas negocimit, me kontratë është shpërblyer kompania “Eurokos Holding SH.P.K”, që ka ofertuar me çmim në vlerë 2 milionë e 999 mijë e 628 euro, që ka qenë e dyta në renditje nga çmimi më i ulët.
Kompania me çmimin më të ulët është eliminuar për mospërmbushje të kritereve./Reporteri.net/ Periskopi/



