Pas gati dy dekadash funksionimi shuhet “Lëvizja për Bashkim”

Pas gati dy dekadash funksionimi shuhet “Lëvizja për Bashkim”

Pas më shumë se dy dekadash në skenën politike, Lëvizja për Bashkim ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e aktivitetit të saj. Në një letër përshëndetëse drejtuar qytetarëve, kjo lëvizje ka shpallur mbylljen e saj, duke theksuar se vendimi nuk buron nga mungesa e besimit në idealet që përfaqësonte, por nga vështirësitë për t’i përmbushur ato në realitetin aktual politik.

“E nisëm këtë rrugëtim me qëllime të pastra për çlirim, për bashkim, për drejtësi e barazi. Por idealet, sado të larta, përballen me kufijtë e pashmangshëm të realitetit politik,” thuhet në deklaratë.

Lëvizja për Bashkim, e cila lindi si një zë i fortë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe mbrojti platformën e reciprocitetit të plotë në raportet shqiptaro-serbe, shprehet se vizioni i saj nuk u përkrah sa duhet dhe shpesh u keqinterpretua.

Duke nënvizuar se në çdo fazë të veprimtarisë së saj qëndroi e palëkundur në parimet e saj, pavarësisht kostos politike, Lëvizja thekson se largimi nga skena nuk është fundi i idesë për të cilën ajo punoi.

“Zëri ynë nuk shuhet me emrin tonë. Kjo platformë është edhe testamenti ynë politik – një udhërrëfyes për ata që mbeten në politikë dhe që e duan zgjidhjen e vërtetë,” thuhet në letrën përmbyllëse./Periskopi/

Letra e plotë:

Të dashur qytetarë,

Në udhëtimet e vështira, kur zërat zbehen dhe fuqia pakësohet, qëndron vetëm një busull e vërtetë udhëheqëse:
ndërgjegjja.

E nisëm këtë rrugëtim me qëllime të pastra për çlirim, për bashkim, për drejtësi e për barazi. Atëherë kur dhuna e
terrori pushtues po na çonte drejt zhbërjes si komb, ne pushtuesit iu përgjigjëm me armë. Dhe suksesi nuk mungoi,
megjithëse nuk ishte i plotë për shkak të mpleksjes së shumë rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare.

Edhe pas arritjes së lirisë, angazhimin politik e kemi konsideruar një rrugë të vështirë, por të duhur drejt një të
ardhmeje më të drejtë, më të dinjitetshme dhe më të bashkuar për shqiptarët kudo që janë. Në kohë komoditeti të
rremë dhe konformizmi politik, ne qëndruam të palëkundur pranë parimeve tona, madje edhe kur kjo na kushtoi
shumë. Ishim të vetëdijshëm se nuk kemi zgjedhur rrugën e lehtë, por atë të drejtën. Në çdo hap që bëmë u
përpoqëm ta mbjellim farën e së vërtetës, por idealet, sado të larta, përballen me kufijtë e pashmangshëm të
realitetit politik.

Ishim dhe mbetemi të bindur se zgjidhja e vetme reale e problemit shqiptaro-serb është reciprociteti i plotë në të
drejta, deri në ripërcaktimin e kufijve, bazuar në të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Dhe kjo nuk ishte thjesht
një pikëpamje, por një platformë e ndërtuar me maturi, vizion dhe guxim. Fatkeqësisht e shpërfillur, e stigmatizuar,
madje e keqinterpretuar nga shumica – por kurrë e lëkundur nga e vërteta që përfaqëson.

Prandaj, ajo që na ka veçuar në rrugëtimin tonë nuk ishte numri i votave të mbledhura, por pesha e konceptit politik që përfaqësonim
dhe përpjekja për mobilizimin e qytetarëve për të mirën e përgjithshme. Kudo dhe kurdo, në institucione apo jashtë
tyre, në nivel qendror apo lokal, me dinjitet e përgjegjësi të lartë qytetare dhe kombëtare i shërbyem interesit
publik. Ndërgjegjja ishte busulla jonë e vetme udhëheqëse.

Të dashur qytetar,

Lëvizja për Bashkim nga sot pushon aktivitetin e saj. Kjo nuk po ndodh se kanë humbur peshë vlerat që ajo
përfaqësonte apo se është zbehur besimi në to, por sepse ato ishin të rënda për supet e saj. Ka çaste kur një lëvizje
nuk shuhet sepse nuk beson mjaftueshëm, por sepse bota mund të mos jetë gati ta dëgjojë.

Pra sot, me dhembje dhe ndërgjegje, pranojmë se nuk ia dolëm t’i përmbushim objektivat të cilat i vendosëm kur u themeluam. Dhe në
vend të zvarritjes së një ekzistence formale, sa për të ngritur kokë në kohë zgjedhjesh, kemi vendosur të bëjmë atë
që pak e bëjnë në politikë: të largohemi me dinjitet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sot po shuhet një ide. Edhe
pas kësaj dite, vizioni ynë do të mbetet i vetmi që siguron forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe hapjen e
perspektivës për zhvillim të gjithëmbarshëm, deri në ditën e madhe të bashkimit të shqiptarëve.

Kjo platformë është edhe testamenti ynë politik – një udhërrëfyes për ata që mbeten në politikë e që e duan zgjidhjen e vërtetë.
Një thirrje që do të vazhdojë të jetojë përtej emrit tonë.

Në fund, nuk mund të mos e shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë qytetarët që na besuan, që na
mbështetën dhe qëndruan me ne, edhe në ditët më të vështira. Ata mund të kenë qenë të paktë në numër, por
kanë qenë të mëdhenj në shpirt. Interesi i vetëm i tyre dhe yni ka qenë e mira e përgjithshme.

Falënderojmë gjithashtu mediet që, ndonëse jo gjithmonë në pajtim me qëndrimet tona, na dhanë hapësirën e
mjaftueshme t’i shprehim ato. Pa këtë mbështetje, zëri ynë do të ishte shumë më i dobët. Respekt i pakufishëm për
të gjithë ata me të cilët ecëm bashkë, anëtarët dhe mbështetësit që kontribuuan pa kursim për realizimin e misionit
tonë fisnik. Falënderojmë edhe familjet tona që qëndruan me ne në momentet më të vështira dhe i besuan vizionit
tonë deri në fund. Mbetemi të mërzitur që nuk kemi arritur të bëjmë më shumë, por shumë krenarë për të gjitha
që i kemi bërë. Faleminderit që ishit pjesë e kësaj ëndrre me shumë sakrifica!

Pastë veç ditë të bardha për kombin tonë!

Shpërndaje në: