Pas refuzimit, AIP urdhëron Komunën e Prishtinës: publikoni pagesat për Arkitektin e Qytetit
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka obliguar Komunën e Prishtinës, që t’i ofrojë qasje në dokumente publike, saktësisht kontratat e nënshkruara, vlera 12 milionë euro, mes Komunës së Prishtinës dhe Arkitektit të Kryeqytetit, asamblistit të PDK-së, Leutrim Retkoceri.
Ky vendim i AIP vjen pas konstatitmit se Konuna e Prishtinës ka shkelur Ligjin për Qasje në Dokumente Publike duke mos ofruar qasje në dokumente që lidhen me pagesat dhe projektet e Arkitektit të Qytetit.
Në vendimin e datës 24 shtator 2025, AIP obligon Komunën e Prishtinës që brenda 7 ditëve nga pranimi i vendimit t’i ofrojë palës ankuese qasje në këto dokumente:
* Dokumentacionin zyrtar që dëshmon nëse Komuna është aktualisht në procedurë përmbarimore ndaj Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit.
* Të dhënat për shumën totale të mjeteve financiare që Komuna i ka paguar Arkitektit të Qytetit deri më tani, sipas viteve dhe kontratave.
* Listën e projekteve të hartuara nga Arkitekti i Qytetit për Komunën e Prishtinës.
* Listën e projekteve të hartuara nga Arkitekti, të cilat janë pranuar zyrtarisht nga Komuna dhe janë në zbatim.
Sipas arsyetimit të AIP, dokumentet e kërkuara lidhen me shpenzimin e parasë publike dhe, sipas ligjit, qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në to. Institucioni vë në dukje se Komuna nuk ka ofruar asnjë përgjigje zyrtare për kërkesën fillestare të qytetarit, duke e detyruar Agjencinë të ndërhyjë me vendim të detyrueshëm.
Ky vendim hyn në fuqi ditën e pranimit nga Komuna e Prishtinës, e cila është e obliguar të informojë me shkrim Agjencinë për hapat e ndërmarrë./Periskopi/




