Pendohet i akuzuari për 55 kilogramët e drogës

Pendohet i akuzuari për 55 kilogramët e drogës

Njëri nga të akuzuarit për narkotikë u pendua dhe pranoi fajësinë në gjykimin për 55 kilogramët e marijuanës.

Abedin Bytyqi ka pranuar fajësinë për 55 kilogramët e marijuanës, derisa Enver Cenaj u deklarua i pafajshëm.

Qysh në seancën fillestare, menjëherë pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Bytyqi e pranoi fajësinë për blerjen, posedimin dhe shfrytëzimin e paautorizuar të 55 kilogramëve të marijuanës.

“Kërkoj falje dhe pendohem jashtëzakonisht thellë për kryerjen e kësaj vepre penale dhe i premtoj gjykatës që në të ardhmen nuk do ta përsëris më”, tha Bytyqi.

I akuzuari në procesin e njëjtë me Bytyqin, Enver Cenaj, kur u pyet rreth deklarimit të fajësisë, u përgjigj “jo, nuk e ndjej veten fajtor”.

Si rrjedhojë, gjykata shtyri shqiptimin e dënimit për të akuzuarin Bytyqi, ndërsa tani e tutje shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit Enver Cenaj.

Që të dy mbrojtësit e të akuzuarve, avkatët Asdren Hoxha dhe Nasuf Hasani, kërkuan që t’u ndërprehet masa e paraburgimit dy të akuzuarve, por e njëjta kërkesë u refuzua nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli.

E për këtë vendim, reaguan avokatët Hoxha e Hasani.

“Rrethanat e njëjta për dy të akuzuarit, njëri i Shqipërisë tjetri i Kosovës, njëri ka pranu fajësinë, tjetri jo. Paraburgimi nuk është dënim”, tha Hoxha.

Ndërsa avokati Hasani tha se prokuroria po e mban të mbrojturin e tij që 8 muaj në paraburgim pa asnjë provë të vetme.

“Aktakuza është në kundërshtim të plotë me ligjin, kjo për faktin se edhe pse prokuroria i ka pasë në dispozicion të gjitha mjetet e veta për t’u hetuar ky rast, në bazë të këtyre shkresave të lëndës nuk rezulton se prokuroria ka ofruar ndonjë fakt me të cilin do të na bënte këtë aktakuzë të besueshme”, shtoi Hasani.

Prokuroria Themelore e Prishtinës më 26 maj ka ngritur aktakuzë kundër Abedin Bytyqit  dhe Enver Cenajt, të cilët janë kapur me mbi 55 kilogramë drogë.

Gjithsej 55.6 kilogramë drogë të llojit marijuanë u janë gjetur të akuzuarve në veturën e tipit “Audi A4” gjatë një kontrolli të policisë në fshatin Lluzhan të Podujevës më 31 tetor 2016.

Në aktakuzën, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se në momentin e ndaljes së veturës të cilën ishte duke e vozitur i akuzuari Bytyqi, mbrapa ulëseve janë gjetur dhe sekuestruar 3 valixhe dhe dy thasë najloni të mbushura me substancën e dyshuar si marijuanë.

Gjatë kësaj kohe, gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Cenaj kishte qenë duke e pritur të akuzuarin Bytyqi për ta shpërndarë substancën narkotike.

Po ashtu, gjatë ekzaminimit janë gjetur edhe gjurmët e të akuzuarit të tretë, Arlind Germizi, por i njëjti gjendet në arrati.

Bytyqi dhe Cenaj, së bashku me të akuzuarin Arlind Germizi, ngarkohen nga prokuroria për veprën penale blerja, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

Shpërndaje në: