Përkorë: 32 masakrat në Llap, një e vërtetë që kërkon dokumentim dhe kujtesë
Shoqata për Persona të Zhdukur dhe Viktima të Luftës “Përkorë” në Podujevë ka publikuar të dhëna lidhur me masakrat e kryera gjatë luftës në këtë komunë, duke theksuar se dokumentimi i plotë i krimeve ende mbetet i mangët edhe pas më shumë se dy dekadash.
Kryetari i kësaj shoqate, Latif Mehmeti, ka bërë të ditur se sipas dokumentacionit të mbledhur ndër vite, në territorin e Podujevës janë kryer gjithsej 32 masakra ndaj popullatës civile nga forcat shtetërore, ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Ai ka thënë se edhe pas 27 vitesh nga përfundimi i luftës në Kosovë, shoqëria jonë vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të dokumentimit të plotë për krimet e kryera gjatë asaj periudhe.
Sipas tij debati për numrin e masakrave dhe viktimave ende mbetet i hapur, “çka tregon se si shoqëri kemi bërë pak në zbardhjen, dokumentimin dhe trajtimin institucional të masakrave, vrasjeve dhe dhunimeve të kryera nga shteti serb në Kosovë”.
Latifi ka theksuar se është nxitur edhe nga ekspozita e mbajtur në sheshin e Prishtinës, duke ndjerë obligim moral dhe qytetar që, “në funksion të së vërtetës, të informoj publikun për përmasat e krimeve të kryera nga njësitë shtetërore, ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në territorin e komunës së Podujevës”.
Ai ka bërë të ditur se që nga përfundimi i luftës është angazhuar vazhdimisht në mbledhjen dhe sistemimin e dëshmive për masakrat dhe krimet e kryera në këtë komunë, duke theksuar se “si rezultat i këtij angazhimi shumëvjeçar, është ndërtuar një bazë e gjerë dhe e strukturuar e të dhënave, e cila përmban informacione të detajuara për viktimat dhe rrethanat e krimeve”.
Mehmeti ka theksuar se, sipas dokumentacionit që posedon shoqata, në komunën e Podujevës janë kryer gjithsej 32 masakra ndaj popullatës civile. “Në këto masakra kanë humbur jetën 159 persona, ndër të cilët 39 fëmijë dhe 53 gra. Po ashtu, mbi 100 persona të tjerë janë plagosur, duke bartur pasoja të rënda fizike dhe psikologjike që vazhdojnë edhe sot”, citohet ai.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se shoqata është duke punuar për dokumentimin e mëtejmë të këtyre krimeve dhe për informimin e opinionit publik, duke shtuar se “jemi duke punuar që në një të ardhme të afërt të publikojmë një libër për masakrat në Llap”.
Sipas tij, ky botim synon të shërbejë si dëshmi e qëndrueshme historike dhe si një hap drejt ruajtjes së kujtesës kolektive.
Në fund, Mehmeti ka theksuar se “mbetet përgjegjësi e përbashkët që këto ngjarje të mos harrohen dhe të trajtohen me seriozitetin që meritojnë, në mënyrë që e vërteta të dokumentohet dhe drejtësia të kërkohet me këmbëngulje”./Periskopi



