Përmbytje edhe në Shqipëri: Fshatra pa rrymë në Elbasan, gjendje emergjente në Tropojë e Lushnje

Përmbytje edhe në Shqipëri: Fshatra pa rrymë në Elbasan, gjendje emergjente në Tropojë e Lushnje

Moti i keq që ka përfshirë Shqipërinë prej ditës së djeshme ka shkaktuar probleme në disa zona.

Situata sipas zonave

Tropojë – Raportohet se situata më emergjente paraqitet në Bashkinë e Tropojë. Emergjencat Civile njoftojnë se situata më e rëndë është në njësinë Administrative Bytyç dhe Mergegaj pasi ka përmbytje të jashtëzakonshme. Situata më e përkeqësuar është në fshatin Vlad, ku stafi i Bashkisë po monitoron situatën për të parandaluar ndonjë fatkeqësi. Ndërkohë në fshatin Fushë Lumi janë bllokuar 7 familje si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve dhe ujit të grumbulluar.

“Në fshatin Vlad situata është më e përkeqësuar, aty që në orët e para të mëngjesit ndodhen stafi i Bashkisë Tropojë, ku po monitorojnë situatën për të parandaluar ndonjë fatkeqësi. Ne fshatin Fushë-Lumi 7 familje janë të bllokuara nga sasia e madhe e reshjeve dhe uji i grumbulluar”, thuhet në njoftimin e Emergjencave Civile.

Rexhe Byberi, ka publikuar foto të dëmeve që ka shkaktuar shiu i pandërprerë në disa zona ndërsa thekson se përshkallëzimi i situatës në të gjithë territorin e bashkisë që ai drejton po shkon drejt një katastrofe natyrore.

Tiranë– Reshjet e dendura të shiut nuk kanë pushuar as në Tiranë. Deri më tani nuk raportohet për problematika serioze.

Elbasan– Më ndryshe situata paraqitet në Elbasan. Pavarësisht se ka rrebeshë shiut me shkëputje raportohet për ndërprerje të energjisë në disa zona. Konkretisht në Peqin, Shezë Gjocaj dhe fshatin Gracen të Elbasanit.

Lushnje– Dendësia e lartë e ujit në rrugë ka sjellë bllokimin e rrugëve kryesore duke bërë të vështirë kalimin e këmbësorëve.

Vlorë – Autoriteti Portual i Vlorës ka ndaluar lundrimin për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit në gjirin e Vlorës.

Shkak është bërë moti i keq, që ka bërë që lartësia e dallgëve të jetë 1.50 deri në 2.50 metra. Atje nuk raportohen të ketë problematika si pasojë e motit të keq.

Fier– Si pasojë e motit të keq është dëmtuar linja e tensionit të mesëm në Fierzë.

“Moti i keq, me reshje dëmtoi linjën, brigadat e #OSSH #Kukës #Tropojë në terren për riparimin e avarisë❗️”, thuhet në njoftimin e OSHEE.

Shkodër – Në Shkodër gjatë natës ka rënë shi me intensitet normal. Deri më tani nuk raportohet për problematika.

Shpërndaje në: