Përplasja për Bolsonaron, Lula i Brazilit i përgjigjet kërcënimit të Trumpit për 50% tarifa: Do të përgjigjemi njësoj
Pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump se do të vendosë 50% tarifë për mallrat nga Brazili, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva është shprehur se edhe ai është i gatshëm të vendosë tarifa të barabarta ndaj Shteteve të Bashkuara, nëse këto të fundit zbatojnë kërcënimin.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, në një letër drejtuar autoriteteve braziliane, Trump ka përmendur si arsye për rritjen e tarifave, trajtimin që po i bëhet ish-presidentit Brazilian Jair Bolsonaro.
Dihet se Bolsonaro është aktualisht në gjyq, i akuzuar për përpjekje për të organizuar një grusht shteti kundër Lulës pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022. Megjithatë, Trump përmes një postimi në Truth Social e përshkroi Bolsonaron si “një udhëheqës të respektuar gjerësisht në mbarë botën”, duke thënë se “ky gjyq nuk duhet të zhvillohet,” dhe duke bërë thirrje që të ndalohet menjëherë kjo “gjueti shtrigash”, ndaj ish-presidentit.
Kujtojmë se mbështetja e Trumpit për Bolsonaron nuk është e papritur, pasi të dy janë konsideruar aleatë të ngushtë prej vitesh. Megjithatë, kërcënimi i tij ndaj Brazilit me 50% tarifa, është pritur me një përgjigje të ashpër nga ana e presidentit actual.
Në një postim në platformën X, Lula theksoi se Brazili është “një shtet sovran me institucione të pavarura dhe nuk do të pranojë asnjë lloj diktimi”. Kreu i shtetit brazilian njoftoi gjithashtu se “çdo rritje e njëanshme e tarifave” do të kundërpërgjigjet me taksa të barabarta ndaj mallrave amerikane.
SHBA është partneri i dytë më i madh tregtar i Brazilit, pas Kinës, ndaj një rritje e tarifave nga 10% në 50% do të kishte ndikim të madh në ekonominë e vendit./Periskopi/



