Pesë shtetet ku Krishtlindja është e ndaluar
Derisa në shumicën e vendeve të botës 25 dhjetori është ditë feste, në disa të tjera është një ditë e zakonshme. Ka disa shtete ku Krishtlindja nuk festohet si festë zyrtare, dhe arsyet për këtë lidhen shpesh me kulturën ose fenë.
Pesë shtetet ku nuk festohet Krishtlindja:
Koreja e Veriut
Nuk ka vend për festa fetare si Krishtlindja në Korenë e Veriut. Ideologjia totalitare e shtetit nuk toleron fenë sepse e sheh si konkurrencë ndaj pushtetit shtetëror dhe kultit të personalitetit që është ndërtuar rreth dinastisë Kim prej vitesh, raportoi Index.
Çdo formë e festimit të Krishtlindjes mund të rezultojë në burgim ose ndëshkime të tjera.
Në vend të festave fetare, kalendari shtetëror është i mbushur me data kur festohet lidershipi dhe historia e regjimit. Ngjarja më e rëndësishme dimërore është përvjetori i lindjes së Kim Jong-il.
Arabia Saudite
Si vendlindje e islamit, Arabia Saudite ka një qëndrim të qartë për Krishtlindjen: nuk është në pajtueshmëri me doktrinën islame. Për vite, dekorimet publike, bredhat e Krishtlindjes, apo çdo festim i dukshëm është i ndaluar rreptësisht, dhe festimet janë të kufizuara në hapësira private.
Në vitet e fundit, ka pasur disa ndryshime të vogla, më shumë për shkak të përpjekjes për hapje ndaj turizmit. Në disa hotele luksoze dhe qendra tregtare dekorime modeste “sezonale” mund të shihen – por pa simbole fetare.
Brunei
Brunei zbaton një version të rreptë të Sheriatit që vendos për hapësirën publike. Edhe pse ata që nuk janë myslimanë lejohen ta festojnë Krishtlindjen në privatësi, gjithçka që mund të duket si “promovim i një feje tjetër” mes myslimanëve konsiderohet e ndaluar.
Bredhi, dritat apo vetëm një kapele babadimri mund të rezultojë me gjobë. Madje autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të përmbahen nga urimet për Krishtlindje në publik.
Somalia
Somalia, një shtet me shumicë myslimane dhe situatë komplekse të sigurisë, shkon një hap më tutje: Krishtlindja është komplet e ndaluar.
Arsyet janë për shkak të identitetit fetar dhe për siguri – autoritetet besojnë se festimi në publik mund të nxisë tensione dhe reagime nga grupet ekstremiste.
Shteti ndalon dekorimet në publik, tubimet apo edhe frazat “Urime Krishtlindja”. Fokusi është te festat islame.
Taxhikistani
Taxhikistani nuk e ka ndaluar zyrtarisht Krishtlindjen, por autoritetet vazhdimisht i dekurajojnë njerëzit kundër festimit. Është pjesë e një politike më të gjerë për kufizimin e kulturave të huaja dhe ndikimit fetar, ndërsa synon forcimin e identitetit kombëtar.
Autoritetet këshillojnë shkollat dhe bizneset kundër dekorimeve apo festimeve, dhe shitja e bredhave apo dekorimeve është e ndaluar.
Ky shtet fuqishëm promovon festimet tradicionale si Nevruzi (Viti i Ri Persian)./Periskopi/



