Petkoviq flet për diskutimet rreth dinarit në Bruksel: Ishte takim i vështirë dhe me tensione

Petkoviq flet për diskutimet rreth dinarit në Bruksel: Ishte takim i vështirë dhe me tensione

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka mbajtur konferencë për media pas takimit për dinarin në Bruksel.

Ai është ankuar për diskutime të vështira e me tensione.

“Kemi kaluar më shumë se shtatë orë në ndërtesën e Shërbimit të Politikës së Jashtme të BE-së. Bisedimet ishin të vështira dhe të tensionuara. Ne patëm bisedime të drejtpërdrejta me palën prishtinase, gjë që është mirë. Ne patëm mundësinë të prezantojmë gjithçka rreth ideve të BE-së se si për të zgjidhur çështjen e dinarit, duke pasur parasysh se Albin Kurti kërcënoi mbijetesën e popullit serb në Kosovë me vendimin e tij të njëanshëm për shfuqizimin e dinarit”, tha Petkoviq para gazetarëve.

Ai u ankua duke theksuar se serbët janë në situate të vështirë.

“Komentet e reja që i dërguam Miroslav Lajçakut janë bërë me mirëbesim dhe janë vlerësuar si konstruktive dhe ofrojnë zgjidhje”, shtoi ai.

Petkoviq foli edhe për qëndrimet e Bislimit.

“Ai tha se nuk i interesojnë serbët që duan të largohen nga Kosova, por vetëm ata që duan të integrohen”, pretendoi Petkoviq.

Petkoviq ka theksuar se është e qartë se nuk ka vullnet politik nga ana e autoriteteve të Prishtinës për ta zgjidhur këtë çështje.

Ai tha se bisedimet do të vazhdojnë më 13 maj dhe se shpreson se do të ketë përparim, por se kjo nuk varet më nga pala serbe.

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Shpërndaje në: