Pjesëmarrja e tij problematike për disa anëtarë të KPK, deklarohet Agron Qalaj: Presim vendimin gjyqësor
Diskutimet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) po vazhdojnë. Gjatë kësaj mbledhje u bë e ditur se kanë pranuar dy kërkesa nga kandidatet për anëtare të Këshillit.
Prokurorja Elza Bajrami-Kastrati ka kërkuar përjashtimin e kryesuesit të KPK-së Ardian Hajdaraj nga vendimmarrja në këtë mbledhje, kurse prokurorja Merita Kurtishi-Gaka, përjashtimin e kryetarit të Komisionit Zgjedhor- anëtarit Arian Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kryesuesi Hajdaraj, tha se ndonëse nuk e sheh të arsyeshëm përjashtimin e tij, me qëllim të korrektësisë largohet nga mbledhja që anëtarët tjerë të vendosin për këtë propozim.
Për të sqaruar raportin e Komisionit Zgjedhor, u ftua që të kthehet në mbledhje anëtari Arian Gashi.
Gashi më pas u rikthy, sipas tij, vetëm për të hir të sqarimit publik se ai nuk i refuzon takimet. Megjithatë, tha se ka kaluar afati i ankesave të kandidatëve, ndërsa ritheksoi se nuk qëndron në mbledhje pa largimin e Agron Qalajt, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.
Në anën tjetër, Qalaj tha se dëshiron të ritheksojë se ai nuk e përbën kourumin në këtë takim.
“Unë nuk e përbëj kourimin, mirëpres mirëkuptimin në atë që e kam thënë. Presim vendimin gjyqësor, unë kam thënë- vendimi i Këshillit për caktimin tim është në fuqi dhe përbën efekt juridik. Pres dhe mirëpres konstruktivitet të Këshillit dhe anëtarëve të Këshillit”, ka thënë ndër të tjera ai.
Për këtë, anëtari Gashi tha se po konfirmohet se Këshilli nuk ka kuorum që të vazhdojë mbledhjen, duke u larguar më pas sërish nga takimi.
Kryesuesi Hajdaraj, u rikthy për leximin e raportit të Kryetarit të Komisionit Zgjedhor lidhur me procedurën e zgjidhjes se një anëtari të ri në KPK./Periskopi/



