Polici anglez me plis në kokë, i bashkohet festës së kosovarëve

Periskopi.com Sporti

Në momentet para se të niste ndeshja mes Anglisë dhe Kosovës, “Dardanët” i pushtuan rrugët e Southamptonit, ku do të zhvillohej ndeshja. Në festën e tyre u përfshi edhe një polic anglez.

Anglia shënoi fitore me rezultat 5:3 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës, në stadiumin e Southamptonit, “St.Mary’s”, duke i dhënë kështu fund ecurisë së Kosovës prej 15 ndeshjeve pa disfatë, raporton Express.

Por, para ndeshjes, tifozët kosovarë kishin qenë në humor të mirë, teksa këndonin e vallëzonin në rrugët e Southamptonit. Në festën e “Dardanëve” u përfshi edhe një polic anglez, i cili edhe e mori një plis.

Takimi i mbrëmshëm nisi furishëm dhe Kosova kaloi në epërsi falë një gabimi të mbrojtësit anglez Keane. Vedat Muriqi e vodhi topi dhe asistoi te Valon Berisha që shënoi pas 50 sekondave lojë.

Përgjigja e Anglisë ishte e shpejtë me Raheem Sterling që shënoi me kokë në minutën e 7-të.

Anësori i Manchester City pastaj asistoi për Harry Kane, i cili e mposhti Mërgim Vojvodën dhe portierin Arijanet Muric, duke i dhënë epërsinë anglezëve për herë të parë në takim në minutën e 19-të.

Gjërat u vështirësuan për vizitorët, pasi brenda shtatë minutave morën tre gola. Vojvoda shënoi në portën e vet, para se Jordan Sancho të shënonte dy herë në minutat 44’ dhe 45’.

Kombëtarja dardane u rikthye furishëm në pjesën e dytë, duke shënuar dy gola të shpejtë. Valon Berisha me golin e dytë personal e mposhti Jordan Pickfordin në minutën e 49-të, para se Vedat Muriqi të shënonte nga penalltia, të cilën e kishte fituar vetë gjashtë minuta më vonë.

Vendasit kanë mundur ta thellonin epërsinë sikur Harry Kane të shënonte nga penalltia në minutën e 65-të. Por, Muric e lexoi dhe e mbrojti gjuajtjen e sulmuesit anglez.

Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje. Kosova e Bernard Challandes, ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 3:0 Malin e Zi.

Shpërndaje në: