Policia e dënon një mërgimtar me targa të Zvicër që hyri në trotuar, e njofton edhe shtetin zviceran
Policia e Kosovës e ka dënuar një mërgimtar me një Audi S6 me targa të Zvicrës.
I njëjti kishte bërë një tejkalim të parregullt duke përdorur trotuarin në anën e djathtë dhe kësisoj duke rrezikuar edhe këmbësorët.
Për këtë veprim të dokumentuar me pamje, Policia tregon se ka ndërmarrë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin të cilit i ka shqiptuar gjobë.
Gjithashtu kanë njoftuar edhe autoritetet zvicerane për këtë veprim./Periskopi/
Njoftimi i Policisë:
Me datë 24.07.2025, vozitësi i automjetit Audi S6, me targa të Zvicrës (TG), në kundërshtim me Ligjin mbi rregullat e trafikut rrugor nr. 08/L-186, ka kryer një tejkalim të parregullt përmes trotuarit në anën e djathtë, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, veçanërisht në zonën e udhëkryqit.
Ky veprim është dokumentuar edhe përmes pamjeve (videos) të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilët kanë xhiruar momentin e tejkalimit.
Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin ndaj të cilit ka shqiptuar gjobë, sipas legjislacionit në fuqi.
Duke u bazuar në marrëveshjen ndërmjet Shtetit të Kosovës dhe Shtetit Zviceran, lidhur me bashkëpunimin për trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit e secilit shtet në territorin e tjetrit, gjoba e shqiptuar do t’i përcillet autoriteteve përkatëse zvicerane për trajtim të mëtejmë sipas marrëveshjes.



