Policia gjen mbi 200 kg drogë në dalje të Prishtinës, arreston një person
Prokuroria Speciale ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion ku kanë gjetur mbi 200 kg drogë në dalje të Prishtinës, raporton Periskopi.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit është arrestuar i dyshuari me inicialet S.J., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Njoftimi i plotë:
ARRESTOHET NJË I DYSHUAR PËR POSEDIM TË SUBSTANCAVE NARKOTIKE
Prishtinë, 29 Tetor 2025 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është arrestuar S.J., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
I dyshuari S.J., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në kamionin që e po drejtonte i është gjetur dhe sekustruar një sasi e subsatance narkotike, që dyshohet të jetë mbi 200 kg.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë së bashku me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.
S.J., me vendim të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës ritheksojnë angazhimin e tyre të vazhdueshëm në luftimin e kësaj dukurie, përmes ndjekjes penale të të gjithë kryesve të mundshëm të veprave penale.



