Policia kap një traktor me ilaçe kontrabandë nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Policia kufitare e Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit (SPMK) Muçivërcë, sot më 19.10.2021, rreth orës 16:30 në rrugë operative ka pranuar një informatë se në fshatin Domorovc Ranillug, nga territori i Serbisë është futur një traktor i ngarkuar me mallra kontrabandë dhe i njëjti gjendet në oborrin e një shtëpie të pabanuar.

Me të pranuar informatën njësit policore patrulluese të SPMK Muçivërcë, kanë shkuar në atë lokacion dhe kanë arritur ta gjejnë shtëpinë ku ishte i parkuar traktori që dyshohej së kishte të ngarkuar mall të kontrabanduar.

Patrulla policore ka identifikuar personin që kujdesej për shtëpinë dhe me lejen e tij, zyrtarët policorë janë futur në oborrin e shtëpisë, ku kanë konstatuar se në rimorkion e improvizuar të traktorit kishte të ngarkuara pako me barna të llojeve të ndryshme dhe pajisje të instalimit elektrikë.

Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare e Prokurorisë Themelore Gjilan, e cila ka urdhëruar që traktori me mallra të dyshuara të sekuestrohet përkohësisht dhe të iniciohet rasti ‘kontrabanda me mallra’.

Zyrtarët policorë të SPMK Muçivërcë, janë në proces të numërimit të mallrave të sekuestruara dhe po ashtu janë duke punuar në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit(ve).