Presidenti sllovak vjen në Kosovë për të vizituar ushtarët në KFOR
Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, pritet që të dielën (21 dhjetor) të vizitojë ushtarët sllovakë që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO, KFOR.
Kështu ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve sllovake TASR, Departamenti i Komunikimit i Zyrës së Presidentit, duke shtuar se kjo vizitë përbën udhëtimin tradicional para Krishtlindjeve të presidentit për të takuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Sllovakisë që shërbejnë jashtë vendit.
Sipas njoftimit, në vizitë do të marrin pjesë edhe anëtarë të familjeve të ushtarëve që kanë kërkuar vazhdim të shërbimit në këtë mision.
“Përveç dimensionit zyrtar, vizita do të ketë edhe një dimension të veçantë familjar, si shenjë respekti dhe mbështetjeje jo vetëm për ushtarët, por edhe për familjet e tyre”, thuhet në komunikatë.
Pas takimit me kontingjentin sllovak në Kosovë, Pellegrini do të udhëtojë për në Beograd, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi – e para e një kreu shteti sllovak pas 16 vjetësh.
Sipas Zyrës së Presidentit sllovak, kjo vizitë është pjesë e një serie udhëtimesh në vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin për të shprehur mbështetjen afatgjatë të Sllovakisë për integrimin evropian të rajonit.
Bisedimet me zyrtarët shtetërorë në Beograd thuhet se do të përqendrohen në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe sfidat aktuale gjeopolitike./Periskopi/



