Prokurorët gjermanë bastisin dy ministri të Merkelit

Prokurorët gjermanë bastisin dy ministri të Merkelit

Prokurorët gjermanë thanë të enjten e kanë konfiskuar dokumente në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Financave si pjesë e hetimeve për pengim të mundshëm të drejtësisë nga një agjenci qeveritare, e cila është përgjegjëse për hetimin e pastrimit të parave.

Në deklaratën e prokurorëve thuhet se ata kanë zhvilluar hetime rreth Njësisë për Inteligjencë Financiare që nga viti i kaluar, sepse kjo agjenci nuk i ka përcjellë te policia dhe sistemi gjyqësor raportet e bëra nga bankat rreth pastrimit të mundshëm të parave.

Hetimet filluan, pasi një bankë raportoi në Njësinë për Inteligjencë Financiare pagesa të dyshimta për në Afrikë të më shumë se një milion eurove, për të cilat banka besoi se mund të jenë të lidhura me trafikimin e armëve dhe drogës si dhe me financim të terrorizmit, shkruan Reuters.

Njësia ishte njoftuar për këtë raportim, por nuk e kishte dërguar atë në agjencitë për zbatimin e ligjit. Prokurorët thanë se ata gjithashtu po e hetojnë dukurinë e rënies së madhe të numrit të raportimeve për aktivitete të dyshimta nga viti 2017, pikërisht kur Njësia për Inteligjencë Financiare e kishte marrë përgjegjësinë për vëzhgimin e pastrimit të parave.

Prokurorët thanë se bastisjet e mëparshme në këtë njësi kishin dëshmuar se kishte pasur komunikim të gjerë mes kësaj njësie dhe ministrive të bastisura të enjten.

Synimi i prokurorëve është që të përcaktojnë se në çfarë mase zyrtarët e këtyre ministrive ishin të përfshirë në vendimet e Njësisë për Inteligjencë Financiare.

Njësia për Inteligjencë Financiare është pjesë e Administratës Federale të Doganave, e cila kontrollohet nga Ministria e Financave.

Shpërndaje në: