Prokuroria: Ish-zyrtari i Policisë u përfshi në dekonspirimin e operacionit të madh kundër fajdeve

Prokuroria: Ish-zyrtari i Policisë u përfshi në dekonspirimin e operacionit të madh kundër fajdeve

Dosja e hetimeve të Prokurorisë së Ferizajt për fajdetë ka nxjerrë në pah përfshirjen e një ish-zyrtari policor në dekonspirimin e njërit prej operacioneve më të mëdha kundër fajdeve të ndërmarrë viteve të fundit në Kosovë.

Në shënjestër të operacionit ishin mbi 40 persona.

Ndërkohë që në edicionet e kaluara emisioni shpërfaqi dyshimet për përfshirjen e autosalloneve dhe të biznesmenëve të ndryshëm në veprën penale të fajdesë, në edicionin e së dielës u transmetuan pretendimet e Prokurorisë, sipas të cilës në skemën e fajdeve është përfshirë një ish-zyrtar policor, i cili ishte i suspenduar për një vepër tjetër dhe ishte duke kërkuar të kthehej përsëri në punë.

Emisioni vë në pah pretendimet e Prokurorisë, sipas të cilës një zyrtar policor dyshohet se dekonspiroi njërin prej operacioneve më të mëdha kundër fajdeve.

Fjala është për operacionin e marsit të vitit 2023, gjatë të cilit cak i Policisë ishin mbi 20 lokacione të të dyshuarve për fajde në Prishtinë, Ferizaj, Vushtrri e Podujevë.

Mirëpo, mbi 10 të dyshuar për fajde ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe nga aty kishin larguar edhe makinat dhe provat e tjera të rëndësishme për hetimin.

Prokuroria e Policia kishin filluar një hetim tjetër se si mund të ndodhte që dhjetë të dyshuar të largoheshin brenda pak minutave nga 10 lokacione.

Dyshimet janë se një ish-zyrtar policor, Nexhat Xhafa, dyshohet se ishte “ura lidhëse” e rrjedhjes së informacionit nga Policia te grupet e fajdeve.

Xhafa, sipas dyshimeve të Prokurorisë, kishte arritur të merrte informacionin nga brenda Policisë se operacioni do zhvillohej dhe të njëjtin e kishte transmetuar te të dyshuarit për fajde.

Si rezultat, i tërë operacioni ishte kompromentuar.

Nga hetimet rezultoi se Fatmir Gërbeshi, njëri nga anëtaret e familjes Gërbeshi, i akuzuar për fajde kishte pranuar një telefonatë nga polici Xhafa ku ishte njoftuar për operacionin dhe me pas Gërbeshi kishte lajmëruar të dyshuarit e tjerë.

Edhe kjo dosje ashtu si ajo kundër fajdesë është duke u hetuar nga prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku.

Maloku ka treguar se si u përfshi ish-zyrtari policor në aksionin kundër fajdeve.

“Nuk i kemi gjetur në shtëpitë pasi që dikush nga brenda Policisë e kishte dekonspiruar operacionin. Edhe në kuadër të Policisë ka njerëz që nuk e kanë vendin aty por diku tjetër sepse ka zyrtarë që janë marrë me fajde, ka edhe tash që merren me fajde, ka që pengojnë hetimet, ka që dekonspirojnë operacionet, gjë që na ka ndodhur edhe në rastin e fajdesë në një operacion kur i kishim për urdhër kontroll mbi 20 persona dhe thuajse gjysmën nuk i kemi gjetur në shtëpi pasi që dikush nga brenda Policisë e kishte dekonspiruar operacionin” – tha prokurori Maloku.

Prokurori pretendon se këto dyshime për përfshirjen e zyrtarëve policorë më pas i kanë provuar edhe me masa të veçanta hetimore.

“Gjate hetimit ne kemi pasur rast edhe persona zyrtarë, policë, që në një mënyrë ose kanë qenë pjesë e kësaj skeme ose kanë penguar hetimet gjatë zhvillimit të operacionit të fajdeve. Megjithatë ne nuk pretendojmë se Policia është e përfshirë por individë brenda Policisë, sepse kemi parë përafërsisht gjendjen e autosalloneve dhe Policia në ditën e aksionit na ka thënë se gjysma e veturave nuk janë gjetur aty dhe në një autosallon një natë para operacionit janë larguar gjysma e veturave dhe nuk dihet ku kanë përfunduar” – tha Maloku.

Ish-polici Xhafa mbrohet nga avokati Skender Musa. Ai në një bisedë nëpërmjet telefonit ka mohuar dyshimet që rëndojnë mbi klientin e tij, duke pretenduar se Xhafa nuk i ka telefonuar askujt.

“Nexhati në Polici është mbrojtur në heshtje, në Prokurori s’kemi dhënë kurrë deklaratë, s’e di çka u bë me atë rast hiç me të thënë të drejtën. Ky realisht ky ka thënë se as s’kam folë me Fatmirin për atë punë, s’e di tash. Ai atëherë emra s’na kanë përmendur po as s’ka folë me kurrkënd për këtë punë dhe as nuk ka pasur informacione sepse ka qenë i suspenduar. Jemi kanë në proces në civile në atë periudhë kohore, e kemi fituar rastin me padi civile dhe jemi kanë thjesht duke e pritur vendimin e Apelit që ka bërë ankesë Policia” – potencon Musa.

Në aktakuzën ndaj Gërbeshit përfshihen edhe veprat penale të detyrimit dhe fajdesë.

Sipas dosjes, ai i kishte dhënë viktimës në disa raste një shumë prej 16 mijë euro dhe për to viktima kishte paguar kamatë prej 40 mijë euro pa e llogaritur borxhin.

Fatmir Gërbeshi në aktakuzë përshkruhet si person i lidhur me autosallonin me emrin “Lets Go” në Vushtrri.

Ai mbrohet nga avokati Berat Tmava.

Tmava ka thënë se nuk i di detajet pasi që ende nuk i ka pranuar shkresat e rastit.

“Po kam qenë unë gjatë kohës kur është marrë në pyetje, kam qenë, dyshohet për një pjesë një fajde kinse e ka dhënë për një person tjetër, nuk po ia di emrin, nuk po më kujtohet edhe qaty ka përfunduar, nuk ka pasë diçka më shumë. Jo për besë nuk e di se nuk e kam marrë akuzën” thot avokati Tmava.

Fatmir Gërbeshi nuk është i vetëm në këtë aktakuzë nga anëtarët e familjes Gërbeshi nga Vushtrria.

I akuzuari tjetër është personazhi me emrin Avdi Gërbeshi.

Ai dyshohet se përfitoi mbi 100 mijë euro vlerë nga kamatat e fajdeve.

“I dëmtuari S.B. për shkak të obligimeve që kishte ndaj personave tjerë që kishte marrë para me fajde, është detyruar që të marr para hua nga i pandehuri A.G. në shumë prej 60,000 euro, për të cilat ka paguar fajde në shumë rreth 90,000 euro, kurse i ka mbetur borxh edhe 5,800 euro, e cila shumë iu ka llogaritur si borxh dëshmitarit N.A., të cilit iu ka marrë një parcelë e tokës në sipërfaqe prej 67 ari në fshatin Pestovë të komunës së Vushtrrisë, në vlerë rreth 70,000 euro, si kompensim për obligimet nga fajdetë që i dëmtuari S.B i kishte ndaj të pandehurve K.G., T.G. dhe A.G., të cilët e kishin detyruar që pronën ta bartin në emër të K.G. për një çmim prej 9,500 euro”- thuhet në aktakuzë.

Avdi Gërbeshi në këtë procedurë penale përfaqësohet nga avokati Admir Salihu, i cili nuk ka dhënë detaje sepse ka thënë se është në pritje të pranimit të shkresave nga Prokuroria.

Përpos parave, tokave dhe veturave, grupet e fajdeve përshkruhen në aktakuzë si brutale edhe me miq e shokë të personave që kanë marrë fajde.

Sipas aktakuzës, viktima N.A. kishte qenë vetëm dorëzanë në një rast të kontraktimit të fajdeve por edhe prona e tij përfundoi e marrë nga të dyshuarit për fajde.

Sipas aktakuzës, Kadri Gërbeshi, Tahir Gërbeshi dhe Avdi Gërbeshi akuzohen se e detyruan viktimën ta tjetërsonte pronën e tij prej 67 ari.

“Për shkak të obligimeve që kishte i dëmtuari S.B. ndaj të pandehurve A.G., K.G. dhe T.G., prej të cilëve kishte marrë para hua me fajde, kurse i dëmtuari kishte qenë prezent si dëshmitar, mirëpo meqë S.B. nuk kishte mundësi t’i paguajë borxhet dhe fajdetë, në shumë rreth 62,000 euro, të pandehurit e kanë detyruar të dëmtuarin N.A. që të lidhë një kontratë me të pandehurin K.G., për shitjen e tri parcelave tokë bujqësore, me sipërfaqe të përgjithshme rreth 67 ari, zona kadastrale Pestovë, Komuna e Vushtrrisë, me pretendim se dëshmitari ka garantuar për borxhin që e kishte S.B. në atë mënyrë që kanë lidhur një kontratë te noteri se kinse e ka blerë pronën për çmimin prej 9,500 euro” – thuhet në aktakuzë.

Kadri Gërbeshi në këtë procedurë penale përfaqësohet nga avokati Abit Asllani.

Edhe avokati Asllani ka thënë se ka bërë kërkesën dhe është duke pritur të pajiset me shkresat e rastit.

“Unë kam qenë në Prokurori në Ferizaj, se sipas ligjit ata me ngritje të aktakuzës duhet me na i dhanë ato shkresa, mirëpo edhe e kam bërë kërkesën me shkrim unë, po ata nuk kanë qenë të gatshëm me arsyetimin se ka shumë shkresa të lëndës edhe kanë nevojë për kohë të gjatë deri sa t’i bëjnë për të gjithë avokatët, diku janë 50, rreth 50 të akuzuar me kanë thanë aty në atë farë rasti se ndërlidhet me rastin e Brezovicës. Përveç një deklaratë që e kemi dhanë vitin e kaluar në Prokurori, nuk kemi shkresa të lëndës se nuk e di se për çka po akuzohet ose e di për çka dyshohet se janë përafërsisht edhe të tjerët ashtu diçka po konkretisht s’mundem të flasë kurrgjë” – theksoi Asllani për Kallxo. com, transmeton Periskopi.

I dyshuari tjetër Tahir Gërbeshi gjendet në arrati prej kohës kur Policia e Prokuroria e kërkojnë për llogari të këtij hetimi.

Kadri Gërbeshi po ashtu akuzohet për fajde edhe në një pikë tjetër të aktakuzës bashkë dhe me Lindrit Haradinajn po ashtu nga Vushtrria.

Ata akuzohen se në fillim të vitit 2021, në bashkëkryerje kanë kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.

Lindrit Haradinaj paratë dyshohet se i ka marrë nga Kadri Gërbeshi dhe ato ia ka dhënë të dëmtuarit me fajde.

“Është detyruar të kërkojë para me fajde nga i pandehuri L.H., në shumë prej 20,000 (njëzet mijë) euro, me pagesë mujore prej 2,000 (dy mijë ) euro për dy javë, të cilat para i pandehuri L.H. i ka marrë nga i pandehuri K.G., në atë mënyrë që i dëmtuari vetëm në emër të fajdeve ka paguar shumën prej 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro, kurse borxhi kryesor ka mbetur i papaguar”- thuhet në aktakuzë.

Lindrit Haradinaj në këtë procedurë penale përfaqësohet nga avokatja Kosovare Kelmendi.

Avokatja e tij tha se klienti i tij e ka pranuar fajësinë për fajde dhe ka lidhur marrëveshje me Prokurorinë e Ferizajt.

“Fajde e ka pasë edhe nuk ka qenë më duket një shumë e madhe diçka e këtij që me ta shpjegu ka shumë kohë e di që kemi lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, se ky ka shku me marrëveshje për pranimin e fajësisë. E kemi pranuar fajësinë para 3 viteve d.m.th. ende pa u ngritur aktakuza e kemi pranu fajësinë”- theksoi Kelmendi.

Dosja e fajdeve në zonën e Vushtrrisë e që lidhet me auto-sallonet kap vlera shumëmilionëshe.

Përpos parave ‘cash’, makinave e tokave, të dyshuarit për fajde dyshohet se përfituan edhe objekte multimilionëshe.

Sipas aktakuzës, i akuzuari për fajde po ashtu nga Vushtrria është edhe Sheqir Vërshevci.

Ai dyshohet se të dëmtuarit Xh.Sh. për shkak të borxheve të fajdesë ia ka marrë një objekt afarist në Fushë-Kosovë me vlerë prej 2 milionë euro.

“Është detyruar që t’ia dorëzojë një objekt ndërtimor afarist në Fushë-Kosovë në vlerë rreth 2 milionë euro, në të cilin objekt gjenden disa lokale afariste, për të cilën vepër të pandehurit më parë janë arrestuar, mirëpo i pandehuri SH.V. është duke vazhduar që t’i marrë qiratë nga personat F.H. në shumë prej 300 euro në muaj, S.K. në shumë prej 2,000 euro, J.Sh. në shumë prej 450 euro në muaj, B.M. në shumë prej 250 euro në muaj, A.G. në shumë prej 600 euro në muaj dhe S.K. në shumën prej 250 euro në muaj”- thuhet në aktakuzë.

Valdrin Behrami, avokati i Sheqir Vërshevcit, thot se klienti i tij akuzohet për fajde por thekson se duke u bazuar në pretendimet e deritashme nuk ka elemente që e inkriminojnë klientin e tij.

“Në pika të aktakuzës dyshohet për qat veprën penale të cilën e ka për fajde e ka në bashkëkryerje me një person tjetër, diçka tjetër nuk ka. Tash mbetet për me u pa, në bazë të përshkrimit të aktakuzës nuk është se vërej ndonjë farë elementi që e inkriminon të njëjtin, dyshohet se ndaj disa personave të tretë i ka nxjerrë disa qiraja, i njëjti, Sheqiri, pretendon se i ka me kontrata me marrëveshje të cilat i ka bërë me personin i cili është në cilësi të ankuesit. Mirëpo, për mua ka mbetur e rëndësishme është me u pa provat pasi ky po pretendon se i ka provat, ne ende provat nuk i kemi, edhe kaq”- tha Behrami.

I akuzuari tjetër për fajde Ramiz Ademi po ashtu vjen nga Vushtrria.

Ai dyshohet se në fillim të vitit 2021 ka kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë ashtu që për 20 mijë euro fajde kishte përfituar 60 mijë euro pa e përfshirë borxhin kryesor.

“Është detyruar të marrë para në shuma nga 20,000 (njëzet mijë) euro me fajde, për të cilat ka paguar çdo dy javë nga 2,000 (dy mijë) euro, duke pësuar dëm pasuror rreth 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) euro, kurse borxhi kryesor ka mbetur i papaguar”- thuhet në aktakuzë.

Ramiz Ademi në këtë procedurë penale përfaqësohet nga avokatja Teuta Zhinipotoku.

Ajo ka qenë e shkurtër ne prononcimin e saj lidhur me këto pretendime.

“Me të tregu të drejtën unë hala nuk e kam pranuar aktakuzën, veç kam dëgjuar prej kolegëve se është ngritur aktakuza” – ka thënë avokatja Zhinipotoku.

Nga një fshat i komunës së Vushtrrisë është edhe Mujë Ademi.

Ai po ashtu akuzohet se i ka dhënë një të dëmtuari para me fajde. Për 20 mijë euro i dëmtuari është obliguar t’i paguajë nga 2 mijë euro në muaj.

“Për shkak të obligimeve ndaj personave të tjerë për fajde, është detyruar të marrë para me fajde në shuma prej 20,000 euro, me fajde prej 2,000 euro në muaj, të cilat nuk ka mundur t’i paguajë me kohë dhe është detyruar të marrë vetura nga autosallone me çmime të larta të cilat është detyruar t’i shesë me çmime shumë më të ulëta, duke pësuar dëm pasuror disa mijëra euro”- thuhet në aktakuzë.

Rrahim Ajeti, avokati i Mujë Ademit, nuk ka dashur të komentojë lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj klientit të tij.

“Po, shiko i nderuar unë nuk, nuk paraqitem për media kurrë, jam avokat vetëm për gjyq, nuk komunikoj kurrë me media. Kështu nuk jap shpjegime për opinion për rastet që i përfaqësoj unë” – theksoi Ajeti.

Nga Ferizaj, Prishtina, Vushtrria e Podujeva rrjeti i fajdeve i lidhur edhe me autosallonte kishte arritur të krijonte miliona euro qarkullim.

Skema e fajdesë zgjerohet edhe me të akuzuar nga qyteti i Podujevës.

I akuzuari tjetër është Bashkim Osmani si pronar i ndërmarrjes për prodhimin e lëngjeve “Dona Laberion”. Ai dyshohet se përmes një të pandehuri tjetër ka dhënë para me fajde dhe ka përfituar nga kamata e fajdesë.

“Është detyruar të kërkojë para nga G.S., i cili paratë i kishte marrë nga i pandehuri B.O. në shumë prej 200,000 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të dëmtuarit, duke kontraktuar një shumë të parave prej 12,000 mijë euro, në muaj si fajde, prej të cilave 8,000 mijë euro i ka marrë i pandehuri B.O., kurse 4,000 euro i pandehuri G.S., mirëpo në pamundësi që t’i paguajë shumat e parave në emër të fajdeve, i dëmtuari është detyruar t’i marrë edhe 200 mijë euro si material ndërtimor, me kushte të njëjta, kështu që borxhi i të dëmtuarit kishte arritur shumën prej 943,000 mijë euro, kështu që i dëmtuari është detyruar të marrë një kredi në shumë prej 700 mijë euro, të cilat ia ka dhënë të pandehurit G.S. dhe një banesë në vlerë prej 70 mijë euro, duke pësuar një dëm pasuror në shumë rreth 185,000 mijë euro, kurse i pandehuri ka kërkuar edhe një shumë prej 280,000 euro në emër të fajdesë” – thuhet në aktakuzë.

Bashkim Osmani ka thënë se nuk ka lidhje me fajde por aty u përfshi nga të dyshuarit e tjerë që kanë pretenduar se paratë e fajdeve i kanë marrë nga ai e më pas i kanë dhënë fajde te personat e tjerë.

“Jo, absolutisht unë nuk kam lidhje. Ai më ka përdorë si mbulesë mua, unë s’e njoh njeri të gjallë aty, as nuk kam lidhje me asnjë aty çka, çka ka përdorë ai, më ka përdorë mua si mbulesë, ka thanë ‘paratë i kam marrë prej Bashkimit’, edhe unë deklaratën që e kam dhënë në Polici të njëjtën e kam dhënë në Prokurori, asnjë dëshmi, asnjë fakt, as nuk ka kurrgjë rreth kësaj pune”- thot Osmani.

Për fajde e po ashtu për armë mbajtje pa leje akuzohet edhe Bahri Abazi.

Edhe ky akuzohet se ka dhanë para me fajde. Madje shuma që rëndojnë mbi të janë mbi 500 mijë euro.

“Është detyruar të kërkojë para me fajde nga i pandehuri S.S., i cili paratë i ka marrë nga i pandehuri B.A. në shumë prej 20,000 (njëzet mijë euro), me kamatë mujore prej 8%, mirëpo i dëmtuari në pamundësi që t’i paguajë këstet e fajdesë, është detyruar që të kërkojë para të tjera, kështu që i pandehuri S.S. ka marrë vazhdimisht para nga i pandehuri B.A. deri në shumën prej 500,000 (pesëqind mijë euro), për të cilat ka paguar rreth 250,000 (dyqind e pesëdhjetë mijë euro) fajde, nga të cilat 200,000 (dyqind mijë euro) i ka përfituar i pandehuri B.A., kurse 50,000 (pesëdhjetë mijë euro) i ka përfituar i pandehuri S.S., kurse kanë mbetur për t’i kthyer nga borxhi kryesor edhe 320,000 (treqind e njëzet mijë) euro” – thuhet në aktakuzë.

Agron Curri, avokati i Bahri Abazit, nuk ka komentuar rreth rastit me arsyetimin se nuk i ka ende shkresat e rastit.

“Jo për besë nuk kemi pranuar as aktakuzën, as shkresat e lëndës, as nuk kemi kurrfarë informacioni përveç atyre çka janë thënë nëpër media, që është ngritur një aktakuzë dhe këto janë palët e akuzuara, kështu që nuk kemi kurrgjë konkrete” – thot Abazi.

Në 3 pika të aktakuzës për fajde dhe një për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Nexhmi Abazi po ashtu nga Podujeva.

Pika e parë e aktakuzës atë e ngarkon se nga 30 mijë euro para të fajdeve, për 10 muaj ka fituar 30 mijë euro, ndërsa i dëmtuari ka pasur ta paguajë edhe borxhin kryesor prej 30 mijë euro.

“Është detyruar që kërkojë para me fajde nga i pandehuri S.S, i cili paratë i ka marrë nga i pandehuri N.A. në shumë prej 30,000 (tridhjetë mijë euro), me kamatë mujore prej 10%, duke paguar nga 3,000 (tre mijë) euro fajde në muaj, për dhjetë muaj, kështu që i pandehuri vetëm nga fajdetë ka përfituar shumën prej 30,000 (tridhjetë mijë) euro, si dhe borxhin kryesor në shumë prej 30,000 (tridhjetë mijë) euro, për të cilat i dëmtuari është detyruar të marrë para nga personat tjerë në mënyrë që t’i kryejë obligimet e borxhit kryesor dhe të fajdesë, duke pësuar dëm pasuror në shumë prej 30,000 (tridhjetëmijë) euro” – thuhet në aktakuzë.

Lidhur me akuzën, avokati i Nexhmi Abazit, Qëndrim Zogaj, ka thënë se ende zyrtarisht nuk është njoftuar se ka aktakuzë por e di se ka dyshime për klientin e tij.

“Me të thanë të drejtën nuk jam i njoftuar që ka aktakuzë, është një procedurë penale e iniciuar, ka pasur, u kanë në fazë të hetimeve por për aktakuzë nuk jam i njoftuar. Jo, jo, as njoftim, as shkresa”- ka thënë Zogaj.

Në dy pika të aktakuzës akuzohet edhe Muhamed Murseli.

Në pikën e parë akuzohet se ka dhënë para me fajde me kamatë prej 8 % ndërsa në pikën e dytë të akuzës akuzohet po ashtu për këtë vepër.

“Është detyruar që të kërkojë para hua nga i pandehuri M.M. në shumë prej 10,000 (dhjetë mijë euro) për t’i kthyer me pagesë nga 8 % në muaj, pra 800 (tetëqind) euro në muaj, pastaj ka marrë edhe dy herë nga 5,000 (pesëmijë euro) me kushte të njëjta, për të cilat ka paguar vetëm fajde shumën prej 16,000 (gjashtëmbëdhjetë mijë euro), kurse borxhi kryesor ka mbetur i papaguar”- thuhet në aktakuzë.

Arbër Jashari, avokati i Muhamed Murselit, ka thënë se nuk ka bazë ligjore për ngritjen e aktakuzës ndaj klientit të tij por gjithçka mbetet me u pa pasi të pajisen me shkresa të rastit.

“E kam mësuar nga mediat që është ngritur një aktakuzë edhe që ka shkuar në gjyq, po ne nuk kemi marrë ftesë hala. Unë mendoj se s’ka bazë ligjore por gjithsesi po presim deri sa ta marrim aktakuzën edhe t’i japim kundërshtimet tona”- theksoi Jashari.

I akuzuari tjetër është Shefki Rexhepi nga komuna e Kllokotit.

Siç kemi raportuar ne dy emisionet tjera mbi dyshimet se si veturat e shtrenjta u përdoren për fajde këtu në këtë pikë të aktakuzës për fajde u përdor edhe armatura.

Rexhepi akuzohet se ka siguruar paratë për një të pandehur tjetër që ato të jepen për të kontraktuar armaturë me fajde në vlerë prej 500 mijë euro.

“Është detyruar të kërkojë para nga G.S., i cili paratë i kishte siguruar nga i pandehuri, në atë mënyrë që ka kontraktuar armaturë në vlerë rreth 500,000 euro, me fajde nga 2,000 mijë euro për kamion dhe 10 centë më shtrenjtë për kilogram të armaturës, të cilën e kanë shitur tek personat e tretë, kurse paratë i ka marrë i dëmtuari XH.Sh. për t’i paguar fajdetë ndaj personave të tretë, kështu që borxhi i tij ka arritur mbi një milion euro, kështu që për t’i paguar borxhin dhe fajdetë për të pandehurin Sh.R., është detyruar të marrë kredi në bankë të cilat para pastaj janë transferuar në llogarinë e ndërmarrjes për prodhimin e betonit, e cila është pronë faktike e të pandehurit G.S., në këtë mënyrë i dëmtuari ka pësuar dëm pasuror disa qindra mijëra euro”- thuhet në aktakuzë.

Shefki Rexhepi në këtë procedurë penale përfaqësohet nga avokati Avni Ibrahimi.

Ai ka thanë se përveç informacionit se është ngritur aktakuza nuk ka të dhëna të tjera.

“Jo i nderuar, ende, ende nuk kam marrë asnjë shkresë, veç që informacione që është ngritur aktakuza, po nuk i kemi marrë shkresat e lëndës, nuk kam as unë informacione ”- tha Ibrahimi.

Prokurori Rasim Maloku pretendon se gjykatat nuk po i marrin me seriozitetin më të madh trajtimin sa më të shpejtë të aktakuzave të fajdeve. Ai këtë e thot duke u bazuar në stërzgjatjen e rasteve të fajdeve në gjykatat tona.

“Ne e dimë tashmë janë publike sa raste kanë përfunduar me vetëvrasje. Vetëm çka kanë rrëfyer gjatë dëshmisë viktimat vërtetë është e paimagjinueshme se ka mundur me ndodhë ajo në Kosovë. Sa raste i kanë dëbuar nga shtëpitë me kontratat fiktive. Ka pasur raste që edhe në autosallonet ku ne kemi hetuar ka pasur raste te vetëvrasjeve mirëpo fajdeja si dukuri shumë pak është hetuar sepse shumë pak ka dënime që kanë përfunduar me dënime të fajdeve sepse të gjitha rastet janë dëmtim, kanosje, etj., por jo dënime për fajde”- potencon Maloku.

Kjo aktakuzë është pjesë e aktakuzave që kanë rrjedhur nga rasti “Brezovica”, dhe janë ndarë me akte akuzues në 4 aktakuza, ku dy janë me marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Ferizajt./Periskopi/

Shpërndaje në: