Pronarët e shtëpisë në Shtime nuk vepruan në vetëmbrojtje, mund të akuzohen për vrasje

Periskopi.com Lajme

Grabitja e planifikuar nuk u shkoi siç e kishin menduar dy plaçkitësit në Shtime.

Si pasojë, njëri prej tyre u rrah për vdekje nga pronarët e shtëpisë, ndërsa personi tjetër iku nga vendi i ngjarjes.

Sipas përshkrimit të Policisë dhe Prokurorisë, gjatë tentativës së grabitësve për të ikur nga vendi i ngjarjes, pronari i shtëpisë dhe vëllai i tij i janë vënë në ndjekje të dyshuarve, nga ku edhe kanë arritur ta ndalin njërin prej tyre, e të cilit më pas i shkaktuan plagë vdekjeprurëse nga mjetet e forta.

Ndaj dy vëllezërve, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit.

E sipas rrethanave të ngjarjes, Prokuroria dy pronarët e shtëpisë mund t’i akuzojë për vrasje të rëndë.

Këtë e thotë për lajmi.net edhe avokati, Asdren Hoxha.

Ai sqaron se një gjë e tillë mund të bëhet për shkak se në rastin në fjalë nuk kemi të bëjmë me mbrojtjen e nevojshme.

“Mendoj që prokuroria ka të drejtë t’i ndjek për vrasje të rëndë. Nuk bëhet fjalë për mbrojtje të nevojshme apo nevojë ekstreme”, thotë ai.

Sipas tij, në momentin kritik, sulmi ka pushuar së ekzistuari dhe se vrasja nuk mund të cilësohet se është kryer në vetëmbrojtje.

“Sulmi ka pushuar së ekzistuari, pra në këtë rast nuk ka vetëmbrojtje. Aty është krijuar moment i ri, në çastin kur ata e sulmojnë të dëmtuarin dhe e privojnë nga jeta”, sqaron avokati Hoxha.

Sipas pretendimit të Prokurorisë, pronarët e shtëpisë ku cak ishte vjedhja, e kishin ndjekur për 300 metra viktimën e rastit.

Në bashkëkryerje ata sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 32 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në: