Propozimi për shtrenjtimin e rrymës kundërshtohet nga ish-ministri i Energjisë

Periskopi.com Lajme

Dyfishimi i tarifave të rrymës të propozuara të premten nga furnizuesi me rrymë KESCO, në kërkesën e bërë te Zyra e Rregullatorit të Energjisë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, është në proces të shqyrtimit të aplikimit të tarifave të reja.

KESCO ka arsyetuar kërkesën me mos disbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë kundër këtij propozimi për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike është ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, por njëjtë nuk po mendojnë edhe drejtues të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP).

Sipas profesorit universitar, dyfishimet e mundshme të tarifave të energjisë elektrike nuk janë zgjidhje e krizës energjetike. Çeku ka kërkuar nga Qeveria të ndërmerr masa për vetëdijesimin e qytetarëve në përdorimin efecient të energjisë, pasi sipas tij ka abuzim me energjinë elektrike.

“Edhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë prapë nuk është zgjidhje, nuk i mbulon nevojat e investimeve. Ngritja e tarifave mund ta shtyjë ose zgjidhë një problem, por nuk është zgjidhja. E di që KESCO kanë aplikuar te Zyra e Rregullatorit, por ne duhet të ndërtojmë disa politika të tjera. Qeveria duhet të marrë masa për vetëdijesimin e qytetarëve në përdorimin e efecient të energjisë elektrike. Abuzohet me energjinë elektrike në të gjitha nivelet e Kosovës. Po të hyni në institucione, sot në mesin e ditës janë dritat ndezur. Duhet të reduktohet ndriçimi publik dhe të ketë një vetëdijesim, të mos shkojmë menjëherë me ngritje të çmimeve”, thotë Çeku.

Ndryshe mendon drejtori në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) Burim Ejupi, i cili arsyeton propozimin e KESCO-s për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët.

Por, Ejupi kërkon nga ZRRE që të mos kalkulojnë politikisht për vendosjen e tarifave të reja.

“Arsyetimet e KESCO-s, janë të drejta, edhe ZRRE-ja si organ i pavarur duhet të vendos krahas të gjitha rrethanave që ndodhet edhe KESCO. Nuk është interes i Kosovës që një kompani, e cila bën furnizimin me energji elektrike të falimentojë në këtë kohë. Ne jemi në fazën kur duhet të liberalizohet tregu, që të ketë më shumë kompani që na furnizojnë me energji. ZRRE duhet urgjentisht të mos kalkulojë politikisht, kalkulimet politike e kanë sjellë këtë gjendje, qeveritë e kaluara, kjo qeveri, sepse problemeve teknike iu kemi dhënë qasje politike”, thotë Ejupi.

ZRRE në një përgjigje për KosovaPress ka thënë se aktualisht është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FSHU-së dhe brenda afateve të përshkruara do të njoftojë publikun dhe FSHU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori.

“Në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FSHU-në,  brenda 20 ditëve të punës pas pranimit të raportit të ndikimit financiar, Rregullatori do të njoftoj FSHU-në nëse Rregullatori e pranon apo jo propozimin e FSHU-së për përshtatjen e jashtëzakonshme. Aktualisht, Rregullatori është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FSHU-së dhe brenda afateve të përshkruara më lartë do të njoftojë publikun dhe FSHU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ZRRE-së.

Aktualisht qytetarët paguajnë dy lloj tarifash, për shkak të bllokut tarifor të vendosur në 800 kWh. Tarifa e ulët për ata që shpenzojnë nën këtë bllok është 2.89 centë për kWh, ndërsa e larta për konsumatorët familjarë që shpenzojnë më pak se ky bllok tarifor është 6.75 centë për kWh. Propozimi i KESCO-s është që me tarifat e reja çmimet të ngrihen në 5.43 centë për kWh si tarifë të ulët dhe 12.78 centë për kWh për tarifë të lartë.

Ndërkaq çdo kWh që shpenzohet aktualisht mbi 800 kWh të shpenzuar në muaj, kushton aktualisht 5.9 centë në tarifë të ulët dhe 12.52 në të lartën. Propozimi i KESCO-s i çon këto tarifa në 11.09 centë për të ulëtën dhe 23.53 centë për të lartën.

Shtrenjtimi është propozuar si për ata që shpenzojnë më pak se 800kWh në muaj, si për ata që e tejkalojnë bllok-tarifën.

Ndërsa, sa i përket krizës energjetike dhe fillimit të reduktimeve të rrymës në vend, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku ka thënë se furnizimi i këtyre ditëve me energji nga Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin. Sipas tij, autoritetet e Kosovës me Shqipërinë duhet të bëjnë investime të përbashkëta.

“Shqipëria mund të na ndihmojë, por nuk mund të në bëjë zgjidhje, edhe ata janë në hallë, blejnë energji me kosto të shtrenjtë. Shpenzuan mbi 200 milionë euro vitin e kaluar për blerjen e energjisë. Shqipëria varet kryesisht nga energjia me hidro, dhe ky vit është shumë i thatë. Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën kohë pas kohe siç ishte rasti i ditës së djeshme dhe sot, ku Shqipëria dha një sasi të energjisë elektrike. Por ajo që po e ritheksoj, duhet që autoritetet e Kosovës me Shqipërinë të ndërtojnë një planë të zhvillimit të sektorit të energjisë sikur vendet e BE-së për investime të përbashkëta. Pra, edhe ne me Shqipërinë mund të bëjmë investime të përbashkëta”, thekson ai.

Pas njoftimit të KEDS-it se nga e hëna do të ketë reduktime të energjisë elektrike në gjithë Kosovën, Ministria e Ekonomisë njoftoi se është rikthyer furnizimi i rregullt falë bashkëpunimit me Shqipërinë, por edhe të martën pati kufizime dhe ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike në vend.