Punësimet familjare e bëjnë NISMA’n e Limajt ‘pikë e pesë’ edhe në Gjilan

Punësimet familjare e bëjnë NISMA’n e Limajt ‘pikë e pesë’ edhe në Gjilan

Partia e Fatmir Limajt ka filluar të përshkallëzohet në nivel vendi. E fajtor për këtë, po del të jetë punësimi në baza familjare dhe neglizhenca e anëtarëve të cilët thuhet se kanë dhënë një kontribut të madh në parti.
Burime brenda kësaj partie, i kanë thënë Gazetës Tribuna, se gjendja në partinë e Limajt nuk është edhe aq mirë, për faktin se Gjakova dhe Gjilani kanë pësuar plasaritje dhe priten largime nga kjo parti.

Ditë më parë, Gazeta Tribuna, shpërfaqi pakënaqësitë në degën e Gjakovës, ku atje udhëheq Fazli Hoxha dhe ka të punësuar shumë familjarë aty ku ka pak ndikim.
Por cila është arsyeja që kjo parti po pëson ndarjen më të madhe që nga themelimi i saj?
Një burim i mirinformuar brenda kësaj partie, ka thënë se pas degës së Gjakovës, edhe ajo e Gjilanit mund të ndahet, ku dihet se ish-ministri i MTI-së, Bajram Hasani është larguar.
“Shumë do të largohen, s’po dua me hy me emra, por ata në qendër i dinë krejt me emra se kush do të largohet. I kanë punësuar veç ata që kanë dashtë ata, institucionet janë mbushur me simpatizantë të Malishevës dhe Drenasit, asnjë qytet nuk merret parasysh. Veç pulat kanë mbet pa i punësua këta paria jonë”, ka thënë ky burim, teksa shton se me këtë problem është i informuar edhe kryetari i partisë, Fatmir Limaj.
Muaj më parë Lëvizja qytetare “Vatra” ka prishur koalicionin me Nismën në qytetin e Gjilanit.
Ndër të tjera, aty përmendet tërheqja e ish-ministrit, Bajram Hasani nga qeveria “Haradinaj”.
“Nisma në Gjilan është parti e katandisur si mos më keq dhe pa zot shtëpie. Pas shkarkimit të Bajram Hasanit, në strukturat e saj organizative mungon koordinimi ekziston një amulli e madhe ku nuk di se me kë duhet të flasësh e me kë duhet të koordinohesh”, thuhet në njoftim e kësaj Lëvizje dërguar medieve.
Kohë më pari, deputeti i kësaj partie, Milaim Zeka, ka folur për prishjen e raporteve mes tij dhe shefit të deputetëve të Nismës, Bilall Sherifi.
Ai ka thënë se me Sherifin nuk ka kurrfarë komunikimi që katër muaj.
“Komunikoj me pesë deputetë të tjerë shumë mirë. Komunikoj me kryetarin e partisë (Fatmir Limaj) shumë mirë”, ka thënë Zeka.
Ai ka akuzuar Sherifin se e ka shtyrë kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, që të deklarohet kundër Zekës.
Krasniqi kishte kërkuar falje ditë më parë që kishte lejuar Zekën të kandidonte për deputet nga radhët e Nismës.
“Kështu jeton Bilalli, me intriga”, ka thënë Zeka./tribuna/

 

Shpërndaje në: