Putin mendon se është duke fituar dhe tri synimet e tij të mëdha të luftës

Putin mendon se është duke fituar dhe tri synimet e tij të mëdha të luftës

Çdo gjë po shkon sipas planit. Ky është qëndrimi i presidentit Vladimir Putin.

Lufta në Ukrainë, në muajin e saj të pestë dhe që nuk i duket fundi në horizont, mund të jetë rraskapitëse. Por zyrtarët e lartë rusë vazhdojnë të përsërisin se Rusia që po fiton terren në Ukrainën lindore, do të arrijë të gjitha synimet e saj. Kjo mund të duket vështirë e besueshme. Krejt në fund, Rusia është detyruar të tërhiqet nga Kievi, duke pësuar disa zbrapsje ushtarake, është përballur me sanksione të shkallës së paparamenduar dhe është bërë subjekt i një dënimi të zëshëm ndërkombëtar. Ta quash sukses një seri të gjatë të dështimeve mund të jetë tentim për të fuqizuar propagandën, hipokrizi ose madje vetë-mashtrim.

Por kjo është ajo që duket se Kremlini po beson. Për mbi dy dekada kam përcjellur nga afër deklaratat e Putin, sjelljet dhe vendimet, duke krijuar një pamje gjithëpërfshirëse të kalkulimeve të presidentit. Bazuar në retorikën e shfaqur në publik, vendimet politike dhe diskutimet informale me njerëz të besueshëm, unë kam qenë në gjendje të krijoj- aq sa mundem- konturat e mendësisë së tanishme të Kremlinit. Ajo se çfarë është shumë e qartë është se në fundin e majit, Kremlini arriti në përfundimin e vendosur se ai është duke fituar konfliktin në aspektin afatgjatë. Dhe Putin, për dallim nga muajt e parë kaotik, tani ka një planë të qartë.

I përbërë nga tri dimensione kryesore, plani është një lloj i kukullës strategjike ruse. Secili aspekt përputhet me tjetrin që shpie në një skemë që shkon shumë larg përtej Ukrainës. Mund të tingëlloj jashtëzakonisht sureale dhe kjo qartësisht shpalos se sa i shkëputur nga realiteti është Putin. Por është shumë e rëndësishme për Perëndimin, përgjigja e së cilit është luhatur në mes konfrontimit dhe pajtimit, ta kuptoj fushëveprimin e plotë të shpresave të Putin teksa Perëndimi vazhdon të vlerësoj rolin e vet në mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit rus.

Synimi më i vogël dhe më pragmatik ka të bëj me ambiciet territoriale të Rusisë në Ukrainë. Pas dështimit për të avancuar thellë në territorin ukrainas që në ditët e para të luftës, Rusia zgovëloi në mënyrë të ndjeshme ambiciet, duke u larguar nga ideja e kapjes së Kievit. Synimi i tanishëm dhe më real duket se është marrja nën kontroll e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut – të cilin Kremlini e sheh vetëm si çështje kohe, një pikëpamje e mbështetur nga kapja e suksesshme të rajonit Luhansk prej trupave ruse- dhe korridorit tokësor që do të siguronte dalje në Krimea.

Për këtë synim, që është i një rëndësie minimale gjeopolitike për Kremlinin, Putin duket se beson se koha është në anën e tij. Ju mund ta kuptoni pse. Mbështetja ushtarake e Perëndimit ka treguar limitin e saj, teksa Ëashingtoni ka sinjalizuar se ai nuk është i përgatitur të rrezikoj të nxisë zemërimin e Putinit duke kaluar vijat e kuqe. Kërcënimet e tij të hershme për të përdorur armët nukleare duket se janë marrë parasysh: Pernëdimi nuk do të përfshihet drejtpërdrejt dhe as nuk do ta ndihmojë Ukrainën deri në atë pikë sa mund të shpie drejt humbjes ushtarake të Rusisë. Sot për sot, për të gjitha zotimet për dallim, menquria konvencionale në Perëndim është se Ukraina nuk do jetë në gjendje t’i rikthejë rajonet e okupuara nga trupat ruse. Kremlini beson se herët apo vonë Perëndimi do ta braktisë tërësisht këtë ide. Pjesa lindore e Ukrainës atëherë edhe efektivisht do të ishte nën kontrollin rus.

Synimi tjetër duket të jetë fokusimi drejt detyrimit të kapitullimit të Kievit. Kjo nuk ka të bëj me territoret e okupara; kjo ka të bëj me të ardhmen e territorit të mbetur ukrainas- diçka me shumë më shumë rëndësi gjeopolitike. “Në një nivel praktik, kapitullimi do të nënkuptonte që Kievi të pranonte kërkesat ruse që mund të përmblidheshin si ‘deukrainizimi’ dhe ‘rusifikimi’ i vendit. Kjo do të nënkuptonte kriminalizimin e mbështetjes së heronjve kombëtarë, riemërtimin e rrugëve, rishkrimin e librave të historisë dhe garantimin për popullatën rusishtfolëse një pozitë dominuese në arsim dhe kulturë. Qëllimi, me pak fjalë, do të ishte privimi i Ukrainës nga e drejta për të ndërtuar kombin e saj. Qeveria do të zëvendësohej, elitat do të spastroheshin dhe bashkëpunimi me Perëndimin do të anulohej.

Qëllimi i dytë duket mahnitës, natyrisht. Por për Putinin ky duket i pashmangshëm, edhe pse mund të merrë më shumë kohë deri sa të arrihet. Në një deri në dy vjet, kur Kremlini pret që Ukraina të jetë e rraskapitur nga lufta, e paaftë të funksionojë normalisht dhe thellësisht e demoralizuar, kushtet për kapitullim do të piqen. Në atë fazë, llogaritja e Kremlinit duket se është: elita do të ndahet dhe një opozitë që kërkon t’i japë fund luftës. Ajo do të bashkohet për të rrëzuar administratën Zelensky. Nuk do të kishte nevojë që Rusia të pushtonte ushtarakisht Kievin; do të binte vetë. Putin me sa duket nuk sheh asgjë që mund ta pengojë atë.

Ekziston një diskutim i madh se çfarë në të vërtetë është më e rëndësishme për Putinin në luftën e tij: ndalimi i zgjerimit të NATO-s deri te pragu i derës, ose ambiciet e tij imperialiste për të zgjeruar territorin e Rusisë dhe për të aneksuar së paku një pjesë të Ukrainës. Por dy çështjet janë të ndërlidhura. Teksa Ukrainë po rrëshqet drejt NATO-s dhe lufta në Donbas ka ngecur, Putin u bë më i obsesionuar me vendin. Toka që ai beson se i ka takuar historikisht Rusisë ishte kapur nga armiku më i keq i Rusisë. Si një përgjigje, territori ukrinas është bërë– por jo në vend të saj, siq mendojnë disa- shënjestër e konfrontimit më NATO-n.

Kjo na sjellë në qëllimin e tretë strategjik të Putinit në luftën kundër Ukrainës dhe që është synimi më i rëndësishëm gjeostrategjik prej të gjithëve: ndërtimi i një rendi të ri botëror. Ne jemi mësuar të mendojmë se Putin e sheh Perëndimin si një fuqi armiqësore që dëshiron shkatërrimin e Rusisë. Por unë besoj se për Putinin janë dy lloje të Perëndimit: Një i keq dhe një i mirë. “Perëndimi i keq” është i përfaqësuar nga elita tradicionale politike që tani udhëheq vendet perëndimore: Putin duke se i sheh ata si skllevër me mendësi të ngushtë ndaj elektoratit të tyre që nuk marrin parasysh interesin e përgjithshëm kombëtar dhe janë të paaftë për të menduar strategjikisht. “Perëndimi i mirë” përbëhet nga evropianët dhe amerikanët e zakonshëm për të cilët, ai beson, dëshirojnë të kenë marrëdhënie normale me Rusinë dhe bizneset që janë të etura për të përfituar nga bashkëpunimi i ngushtë me homolgët e tyre rusë.

Në mendësinë  e Putinit, ‘Perëndimi i keq’ është në rënie, teksa ‘Perëndimi i mirë’ është duke sfiduar ngadalë status quo-n me një grup të liderëve me orientim kombëtar, siç janë Viktor Orban në Hungari, Marine Le Pen në Francë dhe madje Donald Trump në Shtetet e Bashkura, të gatshëm për të thyer rendin e vjetër dhe për të dizajnuar një të ri. Putin beson se lufta kundër Ukrainës dhe të gjitha pasojat e saj, siç janë inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve të energjisë, do të ushqejë ‘Perëndimin e mirë’ dhe do të ndihmojë që njerëzit të ngriten kundër establishmentit tradicional të politikanëve.

Basti i Putinit duket të jetë që kapërcimi fundamental politik në vendet Perëndimore me kohë do të sjellë një Perëndim të transformuar dhe miqësor. Rusia atëherë do ishte në gjendje të rikthehej në kërksat e saj të sigurisë që i bëri publike në ultimatumin e saj të dhjetorit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Kjo mund të duket si një dëshirë deri në pikën e së pamundurës. Por kjo nuk e ndalon të jetë ajo që Putin pret të ndodh. Nëse Perëndimi kërkon të shmangë një përplasje katastrofike, ai duhet vërtetë të kuptojë se me çfarë po përballet kur bëhet fjalë për Putinin. /Periskopi/

 

Tatiana Stanovaya për New York Times

Shpërndaje në: