Që prej shpalljes së pavarësisë nuk ka pasur reagim më të mirë se arrestimi i Gjuriqit

Që prej shpalljes së pavarësisë nuk ka pasur reagim më të mirë se arrestimi i Gjuriqit

Në një intervistë për Periskopin, deputeti i Nismës Sociacldemokrate, Milaim Zeka flet për zhvillimet e fundit në vend.

Ai flet për arrestimin e Marko Gjuriqit, për taksën rrugore për shfrytëzimin e autostradës të vënë nga Qeveria e Shqipërisë, për liberalizimin e vizave, për punën e Qeverisë së Kosovës dhe çështje tjera.

Më poshtë intervista e plotë:

Periskopi: Zoti Zeka, si e patë ju dje arrestimin e Marko Gjuriqit?

Milaim Zeka: Mendimi im është që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës shteti Kosovës nuk e ka pas asnjë reagim më të mirë se sa dje ne veriun e Mitrovicës. Nuk jam në grupin e patriotëve kështu patetik as folkorik por jam në grupin e njerëzve realist që çmojnë forcat e Kosovës për me i tregu edhe Gjuriqit që Kosova është shtet dhe ka kufij deri në Jarinjë. Ata njerëz që bajnë hajgare me shtetin e Kosovës, fatkeqësisht kam pa edhe analthithësa, jo analista, po edhe gazetarë injorantë të cilët dje raportonin pa e ditë fare, për herë të parë e panë Gjuriqin duke dalë nga makinat e policisë dhe po thonin se ja si është maltretu Gjuriqi në makinat e policisë, kam dëgju lloj-lloj gjanash qesharake, kjo flet për mosshkollimin e një pjesë të madhe të gazetarëve, mospërgjegjësinë ndaj fjalës publike në momente të caktuara kur vendi ndodhet para krizave të mëdha. Dje kemi qenë para një krize dhe kjo ka qenë një lloj krize pozitive por kemi pasë edhe reagime prej ndërkombëtarëve që kanë qenë shumë pozitiv.

Periskopi: Prej ngjarjes së djeshme, është përfolur shumë se e gjitha ka mundur të jetë një skenar. Cili është mendimi juaj për këtë?

Milaim Zeka:  Mentaliteti ballkanik është absurd dhe qesharak. Askush kur vjen në dasmën tane nuk i intereson një pjesë të madhe të dasmorëve, askujt nuk i intereson sa e mirë është nusja, sa e madhe është dasma, por thojnë kush u kanë msit. Këto janë teori ballkanike, që mbi bazën e konspiracionit flasin prapë po them analthithësat e ndryshëm, gazetarë të ndryshëm, edhe deputetë të ndryshëm. Sepse këta jetojnë vetëm mbi teorinë e konspiracionit. Mu nuk më intereson kush ka dhënë urdhër. Më intereson veprimi që kanë bërë djemtë dhe vajzat  e Policisë së Kosovës.

Gjuriqi dje është sjellë si qen në Prishtinë dhe jo asi qeni që ne i mbajmë të lidhur, po kësi qeni rrugaç i rrugëve me ato pantollat e shpërthekume si një rrugaç mjeran dhe ia ka dërgu mesazhin edhe Vuçiqit edhe Listës Serbe se ne jemi shtet. Kështu bahet shteti. Nuk bahet ashtu si jemi rrokë ne, për demarkacion, jo kena hupë kufi jo s’kena hupë kufi. Gjithmonë kam thënë për ne është problem veriu i Kosovës, dhe  dje e dëshmumë se kemi kontroll edhe në veriun e Kosovës. Të gjithë ata djem që kanë qenë dje, cdonjëri e ka pasur jetën e rrezikume, për mu ata janë heronj të gjallë. Secili prej tyre ka mujtë me u vra. Mënyra aq e guximshme aq profesionale. Mënyra si kanë vepru brenda dhe jashtë sallës, kanë qenë fascionuese.

Të ju tregoj diçka personale, unë sa herë kur ndodhin, vullkane, tërmete, unë nuk flej, mbramë nga gëzimi dhe reagimi i këtyre policëve të jesh i bindur se nuk kam fjetur deri në mëngjes. Kam shiku me dhjetëra herë ato incizime.

Periskopi: Si e shihni ngjarjen e djeshme karshi dialogut Kosovë – Serbi. Si do të ndikojë kjo në stopimin, tensionimin e mëtutjeshëm të situatës?

Milaim Zeka: Dialogu deri më tash është bërë sa për sy e faqe, sikur që martohemi na sa për sy e faqe, as s’kemi punë, as rroga, as banesa. Kurfarë rezultati ky dialog nuk ka, sa i përket tensionimit, sa i përket tensionimit, me mujtë Vuciqi edhe Gjuriqi, me mujtë gullash na bajnë. Kjo fasadë e poshtër, hipokrite me dialogun në Bruksel, në vend që dialogu të zhvillohet në Prishtinë e Beograd, kjo ka ra me të djeshmen.  Tani, unë jam që me i normalizue bisedimet me Serbinë. Por Kosova me Serbinë është taman sikur ujku me qingjin. Nuk jemi ata ne që normalizojmë bisedimet me Beograd. Na mujna me ba fotografi me ba me Vuçiqin por ai sa herë të dojë ta destabilizojë vendin.

Periskopi: Ju keni folur shpesh për përfshirjen e partive opozitare në dialog…? Madje keni thënë se Albin Kurti por edhe nga LDK’ja, Avdullah Hoti duhet të përfshihen në dialog?

Milaim Zeka: Albin Kurti duhet të jetë pjesë e dialogut, Avdullah Hoti, ose këdoqoftë që propozon LDK, duhet të jetë pjesë edhe GDP me një përfaqësues. Deri më tani unë mendoj që as nuk ka pasë strategji të dialogut as nuk kemi kurfarë kornizash as platform të dialogut. Deri më tani dialogu është bërë me duar në xhepa.

Periskopi: Flasim për një temë e cila është mjaft aktuale por që në fakt ngjarja me Gjuriqin e la paksa nën hije. Qeveria shqiptare ka vendosur një takstë prej 10 eurosh për autosradë. Cili është mendimi juaj për këtë?

Milaim Zeka: Kjo është një poshtëri që ka bër ë Edi Rama. Ka vu një tarifë të papërballueshme 5+ 5 që është vajtje – ardhje  për në Shipqëri Qe duhet të paguhet autostrada për këtë besoj se për këtë nuk ka kurfarë diskutimi.

Ne pagujmë autostrada për në Maqedoni, por cmimi është i tmerrshëm, poshtërues, fyes, diskurimunues.

Jam shumë i bindur se Edi Rama ka qenë i dehur sepse po të ishte esull një kryeministër i një vendi qysh është Shqipëria ku mbijeton nga turizmi ksoovar…se ata qytetarët e Shqipërisë që kanë lek pushimiet i bëjnë në Itali e Spanjë, ne kosovarët e trashë në thonjëza pushimet i kalojmë në bregdetin kosovar dhe me qenë kaq diskriminues kjo është absurd.

I bëj thirrje qeverisë së Kosovës të ulen dhe të bisiedojnë urgjentisht dhe të vijnë për shembull te tarifat 2 + 2, që për mu është e pranueshme, por jo 10.

Periskopi: Demarkacioni me Malin e Zi u kalua, si një kusht për liberalizimin e vizave. Tani e kemi kusht luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Milaim Zeka: Mund të them me përgjegjësi të plotë, që qytetarët nuk janë mashtru. Nuk mundesh me ba shtëpinë pa e maru. Kulmi nuk i qitet shtëpisë në livadh. Kusht nga ma kryesoret ka qenë demarkacioni.

Kush e ka qitë kusht demarkacionin? Nuk është bërë asnjëherë debat. Unë e kam ngritë këtë cështje, politikanët e Kosovës e kanë ngritë kusht, këta me këto gjëra bajnë hajgare.

Zoti Zeka, në fund…NISMA si pjesë e qeverisë së Kosovës dhe ju si deputet i NISMA’s, si e vlerësoni punën e Qeverisë Haradinaj?

Milaim Zeka: Nuk jam i kënaqur me punën e Qeverisë, po foli si deputet se për qëndrimet e NISMA’s duhet ta pyesni zotin Limaj. Si deputet nuk jam aspak i kënaqur, sidomos në linjat buxhetore. Prapë po e shoh tendencën e kësaj qeverie që paratë me i shpenzu në asfalt. Jam kundër. Jam për ndërtimin e një spitali modern, që qytetarët e Kosovës mos me shku me i shpenzu 120 milionë euro jashtë Kosovës. Jam për ndërtimin e çerdheve, që me pasë kanë në çerdhe qita politikanë hajrin jau kishim pa, jam për ndërtimin e mediave të pavarura, ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm shkollor, edukativ. /Periskopi/

Shpërndaje në: