Qeveria Kurti e ka ulur përnjëmend papunësinë, ja faktet

Qeveria Kurti e ka ulur përnjëmend papunësinë, ja faktet

Të dielen Lëvizja Vetëvendosje i mbush 100 ditë në pushtet. 100 ditë të mbushura me intervista të gjata nëpër studio televizive ku thyheshin rekorde shikueshmërie e me statuse në Facebook ku thyheshin rekorde pëlqimesh.

100 ditë të mbushura me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit duke ndezur “pasione nacionaliste” (term i filozofit të keqinformuar për situatën në Kosovë, Sllavoj Zhizhek). Por, çka bëri kjo parti për ekonominë e vendit tonë?

Sipas ministrit të Financave dhe Transfereve, partia kishte qenë mjaft e suksesshme në zbutjen e papunësisë. Natyrisht, duke bashkuar forcat me koronavirusin që – për dallim prej vendeve tjera – në vendin tonë qëlloi të ishte edhe shumë i bereqetshëm. Madje, ky ministër ka edhe një numër për t’iu dhënë, një numër mjaft të madh: 6,6 për qind (që mund të shkojë gjatë këtyre ditëve në 7 për qind).

Mu në kohën kur shifrat e papunësisë po rriten e po rriten në çdo vend tjetër të botës, Kosova po e ulte e po e ulte. E nëse me një gjë të tillë nuk pajtohet realiteti atëherë aq më keq për realitetin. Nejse, më pas ky ministër u mundua ta ndërronte mesazhin e tij e të thoshte se në fakt ato shifra tregonin se “po zvogëlohej ekonomia informale”. Por, sa ishte madhësia e ekonomisë informale? Sa ishte numri i punëtorëve pa kontrata pune? Sa ishte rroga e tyre minimale? Sa ishte rroga e tyre mesatare? Cili ishte qarkullimi i ekonomisë informale? Natyrisht, ministri nuk kishte asnjë numër në dispozicion. Asnjë statistikë, asnjë matje, asnjë vlerësim. E si mund të thuash pra se po ulet, kur teorikisht është e mundur që jashtë realitetit të numërueshëm ekonomik, në realitetin e panumërueshëm prej qeverisë, këta numra bile edhe të rriten?

Mos të harrojmë, Vetëvendosja është vetëshpallur parti e majtë. Dhe, nga pozicioni i saj ‘i majtë’ ka propozuar një Pako Emergjente sa troha prej veç 170 milionë eurosh. Në fillim u arsyetua se “ishin harxhuar rezervat shtetërore” pa e kuptuar as vetë se çka po thoshte. Kosova e kishte pasur një buxhet prej 815 milionë eurosh në vitin 2008. Në vitin 2015 ai u bë 1,6 miliard. Në vitin 2017 ai u bë 2 miliardë. Në vitin 2020 është afër 2,5 miliardë. Nejse, më pas kjo gjë u hesht dhe thjesht u ofrua lëmosha prej 170 milionëve. Mbi cilat politike bazohet reagimi ndaj krizës i kësaj qeverie të majtë – tepër kritike ndaj projekteve kapitale e shpenzimeve tjera publike për dallim nga partitë e tjera të majta – është e zorshme të thuhet?

Kosovës i vyente një Pako Emergjente që do të shkonte deri në 1 miliard, dhe e cila do të ofrohej në formë emergjente, pra menjëherë e pa ngurrim. Por jo, kjo nuk ndodhi e nuk do të ndodhë.

Në fakt është e zorshme të kuptohet edhe politika “e kursimit” dhe retorika pasionante fetare kundër “keqpërdorimit” e kundër “korrupsionit” e kundër “informalitetit” që ka instaluar kjo qeveri pa pikë konsiderate për varfërinë e qytetarëve të saj dhe pa kurrfarë pezmi ndaj politikave të deritashme e vetë sistemit (si dikur). Për ditën e komunitetit ashkali, përfaqësuesit politikë të këtyre të fundit i kishin kërkuar kryeministrit Kurti një shumë parash për festime por ky duke qenë një burokrat i regjur, e kundërta e ish-revolucionarit të rremë të dikurshëm, refuzoi që t’ua ndante duke kërkuar respektim të plotë të të gjitha formaliteteve. Mbeti në sallë duke festuar ditën e ashkalive pa ashkalitë që e bojkotuan. Njësoj, ministri i Financave para pak ditësh moralizoi mbi një kontabilist që e kishte gjetur në listën e 23 kompanive si punëtor që do të merrte ndihmat nga qeveria. Ministrit nuk i mjaftoi që ta denonconte në polici e prandaj me qëndrimin e një hoxhe u desh që ta gjykonte moralisht.

Kjo qeveri ‘e majtë’ duket edhe më e vendosur se qeveritë e kaluara për ta luftuar informalitetin – duke e shpallur thjesht, shpërfillshëm e ftohtë si joligjor. Natyrisht, në këtë kohë pandemie një qeveri ‘e majtë’ do të përkujdesej për qytetarët e jo për numrat, dhe do të evidentonte matjet serioze mbi humbjet e tyre. Por jo, qeveria është e preokupuar te fetishizimi i formalitetit dhe te moralizimet prej hoxhallarësh. Nuk u lodh bile as aq sa të bënte të paktën përpjekje për ta kuptuar se sa punëtorë informalë në Kosovë mbetën pa punë gjatë kësaj periudhe, e as se sa të tjerëve iu është zvogëluar rroga. Nuk bënë bile as hamendësime për diçka të tillë. Duket se sulmi i analistit të kësaj partie, Tomë Gashit, ndaj një lypësi (edhe ky informal) ishte paralajmërim mbi atë që do të pasonte prej qeverisë së tyre.

Për secilin prej nesh është më mirë që ta kemi një rrogë prej 500 a bile edhe 400 eurosh pa pasur kontratë pune se sa 300 apo 250 e me kontratë pune. Për më keq, paga minimale në Kosovë është aq e vogël (170 për mbi-30 vjeçarët dhe 130 për nën-30) sa i jep mundësinë kësaj qeverie që ta zvogëlojë papunësinë në numra rekordë. Kontratat e punës mund të nënshkruhen edhe me këto rroga diskriminuese, e prandaj duke kërkuar thjesht marrjen e ndihmave nga qeveria një gjë e tillë do të ndodh. Papunësia do të zvogëlohet këto ditë por duke u rritur mjerimi.

Paga minimale ishte lënë e vogël nga qeveritë e kaluara sepse ato donin ta ulnin përqindjen e papunësisë duke iu mundësuar punëdhënësve të lidhnin kontrata pune me punëtorët edhe për rroga të tilla. Një përpjekje e dobët për ta maskuar realitetin e trishtë me anë numrash që askush s’i besonte e kësisoj mbetën të palexuar në komunikatat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Dhe imagjinoni, një parti e majtë vendosi që ta eksploatonte një situatë të tillë dhe ta vendoste të njëjtën maskë. Veçse, duhet t’i japim hakun për atë që i takon: është e jashtëzakonshme në propagandë (shih foton e mëposhtme). Dhe imagjinoni sërish, sikur kësaj partie t’i teket që të fetishizojë aq shumë numrat sa të vendos t’i shpallë përnjëmend luftë ekonomisë informale duke i detyruar punëdhënësit të jenë të pamëshirshëm (nuk është ironi) ndaj punëtorëve përmes detyrimit që të nënshkruajnë kontrata pune me këta punëtorë me ato paga diskriminuese në këmbim të pagës më të lartë që e kishin pasur. Mund t’ia dalë që shkallën e papunësisë ta ulë në 5-6 për qind derisa mjerimi e bile edhe uria të bënin gërdinë në heshtje.

Për shkak se edhe kjo qeveri është tepër populiste dhe e fiksuar te numrat – numri i “pëlqimeve” në Facebook, numri i “shikuesve” në emisione ku marrin pjesë, e numri i papunësisë – mirëqenia qytetare vetëm sa do të ulet sepse do të jetë një realitet i panumërueshëm. Pse? Sepse nuk do të bëj politika të cilat mund të prodhojnë dëme afatshkurta elektorale por të mira afatgjata për njerëzit. Ta zëmë, qeveria nuk do të iniciojë një pagë minimale prej 350 eurosh sepse kjo do të bënte që numri i papunësisë të rritej me bizneset që do të paguanin punëtorët jashtë pagave të punës.

Kosova ia sheh hairin ekonomisë informale dhe ky hair duhet të njihet e të kuptohet. Të vetmet që nuk ia shohin hairin tash për tash, sepse ky hair është i panumërueshëm e i papërdorshëm, janë partitë politike që vijnë në pushtet.

Shifrat e papunësisë janë aq të kota sa nuk ka asnjë kuptim të merremi me to. Kontrata e punës që t’i jep 130 a 170 a bile edhe 250 euro rrogë meriton të çkyhet. Nuk është punëtor ai që i merr poshtë 300 eurove për standardin tonë: është i shtypur.

Prandaj, nuk janë keqpërdorimi e informaliteti të këqijat bazike të ekonomisë tonë. Janë politikat populiste të diktuara nga një elektorat i pasionuar pas zgjedhjeve të parakohshme.

Shpërndaje në: