Qeveria Kurti “lëshon pe” për serbët, Vuçiq: U shmang katastrofa e ndonjë konflikti
Qeveria e Kosovës është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare në Ligjin për të huaj dhe atë për automjetet, që do të fillojnë të zbatohen plotësisht nga e diela.
Vendimi i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti vjen pas një takimi në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, të shtunën në mëngjes, dhe ai u përshëndet si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga Serbia.
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se zgjidhja e arritur në lidhje me zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosovë përbën një lehtësim për popullin serb.
“Edhe pse nuk ka zgjidhje të bukura dhe të lehta, është arritur një model, për hollësitë e të cilit jam në dijeni. Jam mirënjohës për përpjekjet e evropianëve që donin të shmangnin katastrofën e ndonjë konflikti”, tha Vuçiq, shkruan REL, transmeton Periskopi.
Ai tha se së shpejti do të bisedojë me serbët e Kosovës për modelin që është arritur.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se zgjidhja e arritur do ta mundësojë funksionimin e pandërprerë dhe normal të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë.
Në një konferencë për shtyp, ai theksoi se gjatë javëve të fundit është punuar me BE-në për të gjetur një zgjidhje dhe se është shmangur “skenari më i keq i mundshëm i mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë”.
Ndërkohë, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se vendimi është “rezultat i punës së madhe dhe diplomacisë”.
Ai shtoi se të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore në Kosovë do të vazhdojnë të funksionojnë si deri tani, në sistemin e Serbisë.
Simiq gjithashtu sqaroi se rreth 7.200 pjesëtarë të komunitetit serb nuk kanë dokumente të Kosovës për arsye të ndryshme dhe se atyre do t’u mundësohet t’i marrin ato “në mënyrë që të jetojnë normalisht në këto hapësira”.
“Këta njerëz do të jenë në gjendje të marrin dokumente në periudhën e ardhshme në mënyrë që të mund të jetojnë normalisht në këtë rajon. E di se cili është qëndrimi i serbëve ndaj këtyre dokumenteve, por në këtë moment ishte një zgjidhje për të ruajtur njerëzit tanë në këtë rajon dhe në mënyrë që ata të mund të jetonin normalisht në shtëpitë e tyre, dhe të mos përballeshin me një situatë ku nënat po ndahen nga fëmijët e tyre, familjet tona po shkatërrohen dhe prona e qytetarëve tanë po konfiskohet”, tha Simiq.
I njëjti, që është deputet në Kuvendin e Kosovës, përsëriti kundërshtimin e serbëve për integrimin e institucioneve të tyre në sistemin kosovar.
“Kur bëhet fjalë për procesin e regjistrimit të studentëve, profesorëve dhe punonjësve shëndetësorë, ai do të realizohet përmes institucioneve tona arsimore dhe shëndetësore, me mbështetjen e plotë të kryetarëve serbë të komunave”, tha Simiq.
Ambasadori i Bashkimi Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se nga dita e nesërme do të nisë zbatimi i Ligjit për të Huajt në Kosovë, i shoqëruar me disa masa shtesë që lidhen kryesisht me regjistrimin e banorëve serbë dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe ndërmjetësin e bisedimeve Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Orav tha para mediave se gjatë javëve të fundit janë zhvilluar bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës për mënyrën e zbatimit të këtij ligji.
“Jemi përqendruar në zbatimin e ligjit për të huajt, që do të fillojë nga nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot është arritur pajtimi për zbatimin e Ligjit mbi të Huajt me disa masa përmbajtjesore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga data 15 mars fillon zbatimi i plotë i dy ligjeve të rëndësishme për sigurinë tonë, si individuale ashtu edhe nacionale.
Bëhet fjalë për Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Veturat, të cilët siç potencoi Kurti janë në harmoni të plotë me direktivat e Bashkimi Evropian, njofton Klankosova.tv.
“Tash 15 marsi është afruar dhe besoj që gjithçka është gati për një fillim të mbarë. Jam i sigurt se të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve. Besoj fuqishëm se më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve edhe u drejtohet ky ligj, pra të huajt, që falë rregullave të përcaktuara me ligj do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit në vend”, shtoi Kurti.
Ai shtoi tutje se Qeveria e Kosovës do të nisë procesin e integrimit të sistemit arsimor dhe shëndetësor brenda kornizës ligjore të vendit.
Kurti tha se qeveria do të sigurojë nga krerët lokalë listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, të cilat do të shërbejnë si bazë për pajisjen e tyre me leje të përkohshme qëndrimi.
Ai njëherësh tha se qeveria do të hapë edhe një afat të ri për regjistrimin e fakteve civile për qytetarët serbë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do t’u lejohet përdorimi ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve”, tha Kurti. /Periskopi



