Qeveria Kurti mban rekordin për shkeljen e Kushtetutës, disa ligje ia rrëzoi
Gjatë Legjislaturës së VIII-të, janë rrëzuar tërësisht tri ligje dhe pjesërisht tri të tjera, ndërkaq janë rrëzuar tërësisht dy vendime të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe një vendim i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjykata ka konstatuar antikushtetutshmërinë e plotë për katër vendime të Kuvendit, ndërsa ka gjetur se gjashtë ligje dhe tri vendime të tjera të Kuvendit janë në përputhje me Kushtetutën. Aktualisht, 22 ligje dhe vendime të Kuvendit janë në procedurë shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, si për përmbajtjen e tyre, ashtu edhe për procedurën e ndjekur gjatë miratimit.
Sot shënohen 17 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumenti më i lartë juridik dhe politik i vendit. Megjithatë, ky akt themelor është cenuar në mënyrë të përsëritur, veçanërisht gjatë Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës, e cila rezulton të jetë një nga periudhat me numrin më të madh të shkeljeve kushtetuese.
Gjatë kësaj legjislature, Gjykata Kushtetuese ka pasur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e rendit kushtetues, duke marrë një sërë vendimesh që konstatojnë papajtueshmërinë e disa ligjeve dhe vendimeve me Kushtetutën, raporton “Betimi për Drejtësi“, përcjell Periskopi.
Që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe themelimi i Gjykatës Kushtetuese, çdo qeveri dhe legjislaturë ka kontribuar në shkeljen e dispozitave kushtetuese, përmes miratimit të ligjeve dhe vendimeve që kanë dalë jashtë dispozitave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe në kundërshtim me të. Megjithatë, Qeveria e drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri Albin Kurti, e kështu edhe Legjislatura e VIII-të, mban rekordin për numrin më të madh të ligjeve që janë konstatuar si të papajtueshme me aktin më të lartë juridik të vendit.
Në disa raste, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të Kushtetutës, duke i rrëzuar tërësisht disa ligje dhe vendime që binin ndesh me Kushtetutën. Në disa raste të tjera, vendimet e Gjykatës çuan në anulimin e pjesërishëm të dispozitave që nuk përputheshin me standardet kushtetuese, ndërsa për një numër çështjesh, ajo konstatoi se nuk pati shkelje kushtetuese, duke konfirmuar kështu kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës edhe në përvjetorin e 17-të të miratimit të Kushtetutës, vazhdon me shkelje kushtetuese me moszbatimin e aktgjykimit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Kontrollin kushtetues që Gjykata Kushtetuese ua ka bërë akteve të iniciuara për vlerësim kushtetues, ka rezultuar me shkelje kushtetuese të Qeverisë dhe të Kuvendit në disa raste.
Sipas GjK-së, ligje të caktuara të propozuara nga Qeveria dhe të miratuara nga Kuvendi, nuk kanë qenë në përputhje me formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, nuk janë në përputhje me vlerat, barazinë para ligjit, me të drejtën për mjete juridike dhe mbrojtjen gjyqësore dhe se vendime të caktuara të Kuvendit kanë tejkaluar kompetencën e tij sa i përket mbikëqyrjes parlamentare.
Përmbledhje e shkeljeve të evidentuara në disa ligje dhe vendime
Gjykata Kushetuese rrëzoi në tërësi Ligjin që synonte reformën në Këshillin Prokurorial. Ligji u shpall në kundërshtim me Kushtetutën. Qeveria dhe Kuvendi nuk morën parasysh në asnjë moment vërejtjet e Komisionit të Venecias dhe të shoqërisë civile. Kushtetuesja rrëzoi edhe Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
U rrëzua pjesërisht reforma e synuar në administratën publike. Disa nene të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë u shpallën në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Kuvendit iu kërkua që deri më 1 gusht 2024, t’i bëjë ndryshimet e kërkuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, por deri më tani asnjë kërkesë e saj nuk është adresuar, rrjedhimisht në këtë përvjetor, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mos e zbatojë aktgjykimin për Ligjin për Pagat, duke cenuar të drejtat e mbi 90 mijë zyrtarëve publikë. Ky mosveprim përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe përkeqëson gjendjen socio-ekonomike të një numri të madh qytetarësh. Në mungesë të zbatimit të këtij aktgjykimi, zyrtarët publikë kanë të drejtë të kërkojnë kompensim përmes padive gjyqësore, çka mund të sjellë mbi 90,000 padi dhe një barrë financiare për buxhetin e shtetit që llogaritet të arrijë në 35.7 milionë euro.
Siç është përmendur në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD): “Kushtetutshmëria në qeverisje”, dhe tanimë pas përfundimit të legjislaturës së VIII-të, kjo e fundit është ajo që më së shumti ka prodhuar kundërkushtetutshmëri.
Gjykata, po ashtu rrëzoi në masën prej 90% Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në tërësi, u rrëzua Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, vendimi për shkarkimin e tetë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Gjykata rrëzoi vendimin e Kuvendit për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe rrëzoi vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se janë në përputhje me Kushtetutën: Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, thirrja e seancës së datës 13 korrik 2023 nga Kryetari i Kuvendit dhe Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e një anëtari të KPK-së, Ligji për Investime të Qëndrueshme, Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficioneve në Lartësi të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, Vendimi për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Beka dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në procedurë të shqyrtimit në Kushtetuese për nga përmbajtja janë edhe Ligji për Skemat Pensionale, Ligji për Zyrtarët Publikë, Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Vendimi i Kuvendit për statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ligji për Fondin Sovran.
16 ligjet e miratuara në seancën e 5 dhjetorit në procedurë të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese
Për shkak të shkeljeve të procedurës së ndjekur për miratimin e 16 ligjeve dhe përmbajtjes së një ligji, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancën e Kuvendit të Kosovës më 5 dhjetor 2024.
Sipas PDK-së, përveç procedurës së ndjekur, edhe për nga përmbajtja është kontestuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
16 ligjet e kontestuara: Ligji për banim social dhe të përballueshëm, Ligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Ligji për Banka, Ligji për Inspektoratin Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Ligji për shërbimet e pagesave, Ligji për provimin e maturës shtetërore, Ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Ligji për Gjykatën Administrative, Ligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Ligji kundër dukurive negative në sport dhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale.
Në këtë legjislaturë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend dy ligje të miratuara së fundi: Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ligji i parë u kundërshtua për shkak të eliminimit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ku nuk janë përfshirë dispozita që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duke krijuar vakum juridik i cili ua pamundëson institucioneve të Republikës së Kosovës që janë pjesë e Këshillit mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe të drejtave të qytetarëve të saj në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa ligji i dytë u rikthye për shkak të shqetësimeve lidhur me ndikimin e tij negativ në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve.



