Qeverisë Haradinaj t’i jepet kohë të paktën 6 muaj

Qeverisë Haradinaj t’i jepet kohë të paktën 6 muaj

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kosovës, Jakup Krasniqi në një intervistë për Periskopin tha se Qeverisë Haradinaj duhet t’i jepet kohë të paktën 6 muaj. Thotë se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë. Ai ka folur edhe për tema të tjera si Demarkacioni, Asociacioni, Listën Serbe, etj.

Periskopi: Pse nuk pranoi Jakup Krasniqi të ketë një post në Qeverinë Haradinaj?

Jakup Krasniqi: Realisht ajo që dua të them është se vërtetë është një situatë mjaft e ndërlikuar politike. Kabineti qeveritar është bukur i madh por edhe një fakt tjetër, konsideroj që Kosova ka një gjeneratë të re, ndoshta sjell energji të reja. Po shpresojmë që njerëzit e ri, me energji të reja do të kenë gatishmëri të përballen me problemet që ka arsimi e që nuk janë të pakta, sigurisht janë të shumë natyrave. Unë gjithnjë kam menduar se gjatë këtyre viteve jemi ngutur shumë në liberalizimin e arsimit. Do të thotë janë krijuar shumë Universitete private të pakontrollueshme, shumë universitete publike pa ndonjë studim serioz për nevojat e vendit dhe kam bindjen se Kosovës i është dashur më shumë ndoshta orientimi i qytetarëve tanë drejt një arsimi professional, andaj kishte me qenë më mirë. Në situatën që jemi, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në zbatimin e ligjeve që janë në fuqi për procesin e arsimit.

Periskopi: Ju keni thënë më herët se Qeveria e re që do të krijohej, duhej të kishte vetëm 15 ministri ndërkohë që tani kemi një qeveri me 21 ministri?

Jakup Krasniqi: Po unë fillimisht, që nga dalja e rezultatit zgjedhor kam qenë për një qeveri gjithëpërfshirëse, se paku për një qeveri gjithëpërfshirëse dy vjeçare, në të cilën do merrnin pjesë të gjitha partitë politike, do t’i zgjedhnin disa tema të cilësuara si tema të interest nacional, ta bënin një reformë zgjedhore të miërfilltë sepse me këtë formë zgjedhore gjithnjë do të ketë problem në Kosovë në formimin e një koalicioni qeverisës. Derisa në një koalicion qeverisës ka shumë parti sic ka në këtë koalicion, gjithnjë ekziston mundësia për të kërkuar sa më shumë Ministri, për të rehatuar njerëzit. Qeveria nuk merret për t’i rehatuar njerëzit, qeveria merret për të qeverisur dhe për të qenë në shërbim të qytetarëve. Politika është për t;iu shërbyer qytetarëve. Krijimi i shumë ministrive do të thotë shpenzim i buxhetit të qytetarëve të Kosovës dhe jo orientimi i buxhetit në segmenet zhvillimore. Në të ardhmen duhet të jetë përgjegjësi politike e partive të mëdha që të bëjnë koalicione edhe me qëllim për të zvogëluar kabinetin qeveritar.

Periskopi: Cila do të ishte ajo qeveri?

Jakup Krasniqi: U krijuan disa rrethana parzgjedhore të tilla që mendoj se prishi shumë llogari se më e mira do të ishte që kjo Qeveri të udhëhiqej nga opozita e kaluar dhe do të duhej të shkonin pak në opozitë partitë që janë në pushtet se kishin shumë numra por s’mund të merrnin asnjë vendim për vendin. Kështu nuk menduan këto partitë politike. Nuk u vendos një komunikim normal me të gjitha partitë politike, sidomos dy koalicioneve dhe Vetëvendosjes, me u ulë përfaqësuesit e tyre, ose ata që kishin dalë si mandatarë të mundshëm dhe të vendosnin një komunikim, pork y komunikim nuk ndodhi dhe kjo nuk ndodhi, ndodhi kjo që ishte e mundshme dhe kjo e mundshme ka vështirësitë e veta.  Unë nuk jam idhtar dhe nuk mendoj se vetëm numrat krijojnë stabilitet sepse ne kishim numrat mandatin e kaluar por nuk kishim stabilitet. Kësaj qeverie duhet t’i jepet një afat. Nuk duhet të jenë shpirtëngushtë. Nuk mendoj se duhet të jenë 100 ditë, mendoj se duhet të jenë rreth 6 muaj të shihet se sip o qeveriset e tek atëherë anëtarët politik ti ofrojnë argumentet e tyre. Pra, jam t’i jepet një shansë dhe brenda gjashtë muajve shihet një trend pozitiv dhe mandej le të ecet me të.

Periskopi: Si do të veprojë NISMA lidhur me çështjen e demarkacionit?

Jakup Krasniqi:  Ne mendojmë se te demarkacioni nuk ka shumë rrugë, ka vetëm një rrugë. Ratifikimi i ligjit për demarkimin me Malin e Zi duhet të shkojë në Kuvend, Kuvendi duhet t’i thotë jo dhe pastaj happen dy mundësi: mundësia për të shikuar Marrëveshjen me Malin e Zi nëse jo kjo, atëherë dërgimi i kësaj çështje në arbitrazh dhe zgjidhja e këtij problem përmes arbitrazhit. Nuk kemi shumë mundësi sepse marrëveshja është nënshkruar mes dy qeverive, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar dhe pritet ratifikimi nga Kuvendi jo.

Periskopi: Zoti Haradinaj, një nga veprimet e para që ka bërë ka qenë shkarkimi i Komisionit Shtetërot për demarkim me Malin e Zi?

Jakup Krasniqi:  Për mua ajo ka qenë më tepër simbolikë. Komisioni e ka kry punën e vet pas nënshkrimit të ministrit të punëve të jashtme në Vjenë. E vetmja mundësi është Kuvendi me i thënë jo dhe të happen mundësi tjera, ose Kuvendi t’i thotë po, por jam i bindur që Kuvendi duhet t’i thotë jo.

Periskopi: Dhe çështja e Asociacionit…?

Jakup Krasniqi:   Mendojmë se kjo çështje nuk është dashur të diskutohet fare në bisedimet e Brukselit. Se këtë çështje e ka zgjedhur shumë mirë dokumenti gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari. Nëse serbët duan t’i bashkojnë komunat për interest e tyre, atëherë duhet ta marrin statutin e Asociacionit të komunave ekzistues. Nuk ka nevojë të ketë asnjë statut tjetër për faktin se ky status është i mbështetur në dokumentin e Ahtisaarit në Kushtetutën tonë dhe në Kartën Evropianë për Vetëqeverisje. Kurse ai që është ofruar në Bruksel, Gjykata Kushtetuese ka thënë që është anti kushtetues. E vetmja zgjidhje është që Asociacioni i Komunave serbe ta përkthejë statutin e Asociacionit ekzistues.

Periskopi: Kemi deklaratat e fundit nga partitë opozitare, përktatësisht LDK’së, që thonë se do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj?

Jakup Krasniqi:  Mendoj se tash për tash opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj. Mendoj se duhet t’i jepet mundësia qeverisë për të punuar. Nuk janë numrat ata që përcaktojnë një qeverisje të mirë. Është kabineti qeveritar ai që përcakton një qeverisje të mirë për vendin.

Periskopi: Në fillim thatë se të paktën 6 muaj duhet t’i jepet kohë Qeverisë Haradinaj? Çka do të bëjë NISMA pas 6 muaj?

Jakup Krasniqi : Nëse qeveriset mirë vendi nuk kemi arsye për ta kundërshtuar, nëse kjo qeveri nuk merr vendime të rëndësishme për vendin atëherë do ta rishikojmë qëndrimin tonë, të ndejtjes në qeveri apo daljes nga ajo.  Ne presim që të ketë ndryshime, nëse nuk ka ndryshime NISMA do ta ketë qëndrimin e vet.

Periskopi: Një nga çështjet më të diskutuara kohën e fundit është edhe çështja e ministrit të Bujqësisë Rikallo. Cili është mendimi juaj për këtë?

Jakup Krasniqi : Mendimi im është ky, shumë i qartë. Përgjegjësinë për deputetët e Listës Serbe e kanë tri subjekte politike, e ka PDK, LDK dhe Aleanca. Pse po e them këtë? Çështja e Listës Serbe dhe Asociacionit e k abazën te marrëveshja e 19 prillit që unë e kam kundërshtuar. Por kanë qenë 89 deputetë që e kane votuar atë marrëveshje dhe ajo marrëveshje i ka hapur rrugë Listës Serbe që të jetë në institucionet e Koosvës. Në anën tjetër, përgjegjësia është e institucioneve përgjegjëse të sigurisë në Kosovë, AKI’së, Policisë, se si një njeri ka punuar tri vjet në KQZ dhe nuk ka asnjë informacion për të. Ndoshta përgjegjësia është ngapak edhe e qytetarëve që nuk kanë dhënë informacione të mëhershme por përgjegjësia kryesore është tek institucionet e përgjegjësisë.

Periskopi: Flasim pak për zgjedhjet lokale. Ku është NISMA në përgatitjet për zgjedhjet lokale?

Jakup Krasniqi : Mendoj që kemi kandidatë mjaft serioz dhe po punojmë shumë në këtë drejtim por janë qytetarët e Kosovës ata që do të vlerësojnë ofertat që do të bëjnë paritë politike, do të vlerësojnë edhe ofertën e NISMA’s dhe kandidatëve të saj. Presim që NISMA të jetë më e fuqishme se në zgjedhjet e kaluara. Si NISMË për herë të parë garojmë dhe kemi përfaqësuesit në të gjitha komunat.

Periskopi: Zoti Zafir Berisha e ka quajtur hakmarrje decertifikimin e tij si kandidat për kryetar të komunës së Prizrenit, pra hakmarrje për shkak të abstenimit të saj gjatë votimit të Qeverisë Haradinaj. Çka mendoni ju për këtë?

Jakup Krasniqi: Ndoshta ka pasë të drejtë, ndoshta është varë të vendimi i KQZ’së, por mendoj se duhet të presim rezultatet e Gjykatës Supreme për këtë çështje. Personalisht jam i bindur dhe me konsultat që kam bërë më avokatë të ndryshëm, kanë thënë se kjo lëndë është dashur të shlyhet nga evidenca. Gjithashtu mendoj që ligji për këtë çështje bie ndesh me Kodin Penal të Kosovës dhe me Kushtetutën megjithatë është Gjykata që duhet ta thotë mendimin e vet. Personalisht repektoj vendimin e Gjykatës Supreme megjithatë mendoj që ankesa e kandidatit tonë është e arsyeshme dhe për të ardhmen ndoshta duhet të vlejë kjo, që nëse veç duhet KQZ të votojë sic ka votuar, duhet të votojë rast për rast./Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: