Qindra policë dorëzojnë padi për shkak të mospagesës së përvojës së punës
Qindra policë i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kjo për shkak se ata nuk morën pagesën e përvojës së punës për 15 vitet e para me 0.5% ashtu siç parasheh edhe vendimi i Kushtetueses.
E avokati, Reshat Maliqi thotë se vetëm ai është duke përfaqësuar mbi 150 policë të cilët kanë bërë padi për moszbatimin e këtij vendimi.
“Unë si avokat kam marrë një autorizim prej Policisë, janë mbi 150 raste që një shtesë që u takon Policive prej 0.50% për çdo vit të stazhit të punës, e që në vitin 2023 me ligjin për paga është zvogëluar prej 0.25% unë kam bërë padi në Gjykatë, kjo pasi Kushtetuesja e ka urdhëruar Kuvendin që kjo dispozitë ligjore ta rikthen dhe të paguhen”, shprehet ai për Tëvë1, transmeton Periskopi.
Por çka parasheh vendimi i Kushtetueses i cili mor në fund të dhjetorit të 2023-ës?
“Natyrisht pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës ka konstatuar që ndryshimi i kësaj përqindje është në shpërputhje dhe për rrjedhojë palëve ju ka lindur e drejta, në rast që jo më herët por së paku prej momenti kur sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vendosin institucionet, Qeveria dhe Kuvendit kanë qenë të detyruar të nxjerrin ligjin e ri përmes së cilit natyrisht që ndryshohet përkatësisht të plotësohet kjo çështje ligjore. Prandaj duke qenë se tashmë ka kaluar, palëve ju ka lindur e drejta që përmes rrugëve përmes rrugëve ligjor të kërkojnë këtë të drejtë”, tregon avokati Ardian Bajraktari.
Ai shprehet i bindur se këto raste do të fitohen nga këta zyrtar policorë.
“Ka argumente të mjaftueshme që përmes rrugëve ligjore të kërkojnë këto të drejta dhe jam shumë i bindur që fundi i procesit do të përfundojë më fitimin e kësaj të drejte por natyrisht që kërkon kohë për ta pritur verdiktin”, thotë Bajraktari.
Kujtojmë që së fundmi, një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të FSK-së kanë dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Mbrojtës për shkak të mospagesës së orëve shtesë.



