QKUK filloi detektimin e sëmundjes verbuese

QKUK filloi detektimin e sëmundjes verbuese

Pasi gazeta “Zëri” publikoi skandalin e verbimit të fëmijëve kosovarë, si rezultat i trajtimit të retinopatisë premature në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, me ndihmën e fondacionit “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, QKUK-ja ka startuar procedurat e skriningut, me qëllim të hetimit të hershëm dhe diagnostikimit me kohë të sëmundjes së retinopatisë e cila çoi në verbimin e shumë fëmijëve kosovarë

Një muaj pasi gazeta “Zëri” ka publikuar skandalin e verbimit të fëmijëve kosovarë që trajtoheshin në Repartin e Neonatologjisë si rezultat i sëmundjes “Retinopatia premature”, në këtë klinikë, por edhe në Klinikën e Oftalmologjisë, janë mobilizuar për të filluar procedurat e skriningut, apo detektimit të sëmundjes, sipas protokolleve mjekësore.

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës Curr Gjocaj, sipas të cilit, QKUK-ja ka bërë një marrëveshje me Fondacionin “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” e cila do të jetë valide deri në fund të vitit.

Bazuar në këtë marrëveshje, fondacioni, thotë Gjocaj, do të sjellë ekspertë, të cilët do të menaxhojnë fillimin e procesit sa i përket skriningut të retinopatisë premature, i ashtuquajtur ROP.

Ndërkohë, në një njoftim që drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Mynevere Latifi – Hoxha, i dërgon drejtorit Gjocaj, Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës, drejtorit të Klinikës së Syve, Florim Zejnullahut, por edhe Mrika Aliut nga Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” i njofton ata se kanë filluar të kryejnë skriningun e ROP-it./Zëri/

 

 

 

Shpërndaje në: