Qytetarët e Malit të Zi “blejnë nuse” nga Shqipëria?

Qytetarët e Malit të Zi “blejnë nuse” nga Shqipëria?

Një shqetësim i ri ka dalë në pah lidhur me martesat midis qytetarëve të Malit të Zi dhe grave nga Shqipëria.

Në disa mesazhe në rrjetet sociale, disa gra paraqiteshin si “ofertë” për martesë, duke nxitur dyshime për ndërmjetësime të paligjshme.

Policia malazeze ka deklaruar se nuk ka informacion zyrtar për raste të tilla dhe nuk ka pasur raportime që tregojnë përfshirjen e paligjshme të ndërmjetësve.

Sipas Kodit Penal të Malit të Zi, trafikimi i njerëzve dhe shfrytëzimi për qëllime martesore konsiderohen vetëm në rastet kur ekzistojnë detyrim, kërcënim, mashtrim ose shfrytëzim, shkruan vijesti.me.

Sipas të dhënave nga disa komuna, brenda dy viteve të fundit janë regjistruar 16 martesa midis qytetarëve të Malit të Zi dhe shtetaseve shqiptare, me numrin më të madh në Ulqin. Megjithatë, nuk dihet nëse këto martesa janë bërë në kushte të paligjshme apo nën ndonjë formë shfrytëzimi.

Drejtuesja e Qendrës për të Drejtat e Grave, Maja Raiçeviq, ka theksuar se reklamat ku gratë paraqiten si mallra janë shqetësuese dhe thekson se shteti ka detyrimin të parandalojë dhe ndëshkojë çdo formë dhune apo shfrytëzimi në martesa. Ajo shton se gratë nuk duhet trajtuar si objekte dhe se shteti duhet të reagojë ndaj çdo indikacioni të ndërmjetësimeve të paligjshme.

Gazeta Vijesti gjithashtu ka rikujtuar se në vitin 2017 disa burra nga Mali i Zi ishin mashtruar nga persona që pretendonin se do të organizonin martesat me gra shqiptare, duke u kërkuar pagesa të konsiderueshme për shërbime që nuk u realizuan.

Me gjithë këto shqetësime, autoritetet malazeze insistojnë se deri më tani nuk ka fakte konkrete që tregojnë për ndërmjetësime të paligjshme, por rastet e dyshuara duhet të hetohen dhe ndiqen nga prokuroria kompetente nëse paraqiten denoncime të reja./Periskopi/

Shpërndaje në: