Rama në pritje të përgjigjeve për bashkëqeverisje në Prishtinë, kabineti i ri prezantohet brenda ditësh

Rama në pritje të përgjigjeve për bashkëqeverisje në Prishtinë, kabineti i ri prezantohet brenda ditësh

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se është në pritje të përgjigjeve përfundimtare nga partitë politike për bashkëqeverisje në kryeqytet, ndërsa paralajmëroi se kabineti i ri pritet të prezantohet brenda ditëve në vijim.

Rama theksoi se qeverisja në kryeqytet është në vazhdimësi të mandatit të kaluar, me disa ndryshime tashmë të publikuara, ndërsa drejtoritë janë funksionale dhe puna po vazhdon normalisht në të gjitha sektorët.

“Unë po them që jemi në vazhdën e marrëveshjeve, diskutimeve me të gjitha partitë edhe si rezultat po them ne po vazhdojmë, puna vazhdon në kryeqytet. Të gjitha, të gjithë drejtorat janë në punim e sipër, pra nuk është kjo një qeverisje e cila është e re, është një qeverisje që është në vazhdimësi prej katërvjeçarit të përparshëm edhe si e tillë tash jemi duke bë disa ndryshime. Domethënë, disa gjëra kanë me qëndru të njëjta, disa ndryshime janë publike, tashmë vetëm mundeni me i pa në website-in e Prishtina online, ku ndryshimet vetëm se i kemi bërë publike. Edhe po vazhdojmë në këtë vazhdë të krijimit të ekipit tash për katër vitet e ardhshme”, tha ai.

Ai bëri të ditur se ftesa për bashkëqeverisje u është dërguar të gjitha partive, por sipas tij, disa prej tyre janë në pritje për shkak të zhvillimeve në nivel qendror, përfshirë proceset zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit, raporton Ekonomia Online, transmeton Periskopi.

“Po i kam bo të gjitha partive. Të gjitha, faktikisht edhe e kam përmend këto edhe paraprakisht, jam po them në pritje tash përfundimtare. Mendoj që është edhe një ndoshta prolongim për shkak të çështjeve të edhe të niveleve të tjera, për shembull se kemi pas një numër të madh tash të zgjedhjeve në vitin 2025. Po vazhdojmë po them, edhe tash e kemi edhe në nivelin parlamentar, në nivelin qeverisës, të nivelit qendror, edhe zgjedhjen e presidentit. Pra janë disa çështje të cilat ndërlidhen edhe me nivelin lokal, për këtë arsye po them që të kemi edhe pak durim, edhe me siguri që brenda shumë pak kohësh do ta bëjmë prezent të gjithë kabinetin. Pra sot po mendoj, mendoj deri në javën e ardhshme, në fund të javës së ardhshme apo në fillimin e javës tjetër do ta kemi ashtu pasqyrën e plotë. Për ata që janë të rinj, ata që do të qëndrojnë. Mirëpo çka du me cek është që të gjitha drejtoritë janë duke u marrë me punë në të gjitha pjesët e kryeqytetit, pra jemi duke vazhduar me proceset”, tha ai.

Rama shtoi se synon një koalicion sa më të gjerë për shkak të projekteve madhore që e presin kryeqytetin, përfshirë përgatitjet për “Lojërat Mesdhetare 2030”, investimet në arsim, sport dhe transport urban, duke siguruar se vonesat në formalizimin e kabinetit nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punës.

“Po ne, ne po them unë kam bërë kërkesë publike të gjitha partive. Tash janë lajmëru disa, disa jo. Edhe e kemi tash po them, disa presin ndoshta edhe për zgjedhjet parlamentare, po mendoj zgjedhjen e presidentes. Pra nuk kam dasht me bë presion ndaj asnjë partie për arsye se po them është për të mirën e kryeqytetit që në momentin kur edhe e kemi një ashtu, një formulë të saktë, jua prezantojmë qytetarëve të kryeqytetit. Mirëpo deri atëherë po them ne jemi duke punuar, kemi një ekip të mrekullueshme në kryeqytet. Pra të gjitha drejtoritë i kanë drejtorët e vet, jemi duke vazhduar me punë në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Pra kjo nuk ka asnjë impakt negativ pse ne nuk e kemi bërë ndoshta diçka të re. Mirëpo qasja ime ka qenë edhe mbetet që duhet të jetë një koalicion i gjerë në nivelin e kryeqytetit sepse kemi punë të mëdha. I kemi lojërat mesdhetare të vitit 2030 për të cilat tashmë po them jemi duke i shtyrë përpara ashtu fuqishëm, po ashtu edhe projektet madhore të cilat po ashtu jemi duke i shtyrë para, nevojat e tjera të kryeqytetit që janë të shumta në nivele të arsimit, pra edhe me sistemet e mësimit tërëditor, të sportit po them në krijimin e infrastrukturës në pjesë të ndryshme, të transportit të ri urban që tashmë e kemi shtyrë përpara, pra kemi shumë punë që jemi duke i shtyrë përpara fuqishëm pa marrë parasysh a kemi bërë ndryshime në drejtori apo jo”, tha ai./Periskopi/

Këta janë disa nga drejtorët në kabinetin Rama

Shpërndaje në: