Rama për “Ballkanin e Hapur”: Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet

Rama për “Ballkanin e Hapur”: Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet

Vijimësia e “Ballkanit të Hapur” ka qenë mesazhi kryesor i pesë liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të samitit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, u theksua se “Ballkani i Hapur” nuk do të ndalet dhe se kush do t’i kundërvihet do të zhgënjehet. Nga ana tjetër, sërish iu bë thirrje Kosovës që t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë të përbashkët për medie, tha se do të dëshironte të ishte edhe Kosova në “Ballkanin e Hapur”, por kushdo që ka hezitime vetëm do të humbë kohë për të përfituar nga kjo nismë.

“Sot ne këtu jemi pesë, pavarësisht hezitimeve të mëparshme dhe statuseve. Kjo është një tryezë e cila është, siç e tha Dritani, një mundësi për të dialoguar për të marrë më të mirën e mundshme në funksion të mirës së përbashkët. Do të dëshiroja të ishim gjashtë dhe dëshiroj të jemi gjashtë. Por një gjë e është e sigurt, pikërisht se është i njerëzve dhe vendeve të ardhmes, Ballkani i Hapur as nuk ndalet dhe as nuk mbyllet. Kjo është e sigurt, kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet, kush heziton thjesht është i destinuar të humbë kohë për të përfituar nga kjo nismë”, tha ai.

Vendosmërinë e kryeministrit Rama për “Ballkanin e Hapur” e vlerësoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se “Ballkani i Hapur” nuk do të mbijetonte pa fuqinë e kryeministrit shqiptar.

“Zotit Rama një falënderim të madh që çdo herë ka qenë i fuqishëm, se edhe kur kemi qenë në presion nga anë të ndryshme dhe kur është dashur të heqë dorë nga Open Ballkan, Edi Rama ka treguar fuqi të madhe të liderit, ka dëshmuar çka do të thotë përcaktim dhe vendosmëri diçka që ke filluar të vazhdosh ta bësh. Dhe si president i Serbisë ia kam borxh një falënderim të madh se pa përkushtimin e tij dhe pa energjinë dhe fuqinë e tij Ballkani i Hapur nuk do të mund të mbijetonte”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se samiti i sotëm në Ohër ishte pozitiv për iniciativën “Ballkani i Hapur”.

“Këtë takim e vlerësojë pozitiv sepse për herë të parë, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe komuniteti ndërkombëtar të gjithë jemi në një vend në kuptim të ndërsjellë për ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor. Nëse kuptohemi, nuk ka pse mos t’ia ndalim. Do t’ia dalim dhe do t’ia arrijmë. Ballkani Perëndimor të bëhet ‘Ballkan i Hapur’”, tha ai.

Ndërsa kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, apeloi që takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Apeloj që herën e ardhshme të mos jemi pesë por gjashtë. Qëllimi është kështu të vazhdojmë që Ballkani i Hapur të ketë gjithnjë e shumë pjesëmarrës dhe liderë”, theksoi ai.

Samiti i sotëm i Ohrit, sipas kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija do të shërbejë që Bosnja të ndryshojë pozicion sa i përket “Ballkanit të Hapur”.

“Ende nuk është marrë një vendim politik. Pas takimit të sotëm dhe gjithçka që dëgjuam sot, pas firmosjes së këtyre marrëveshjeve, jam i sigurt që Bosnje Hercegovina patjetër të bëhet anëtare e plotë e këtij projekti. Do të bëj gjithçka që është e mundur që kamionët, maunat, mallrat në Bosnje Hercegovinë të mos qëndrojnë në vendkalime kufitare dhe të presin certifikata dhe kamionët e tjerë ndërkombëtare të kalojnë kufirin. Nuk jeni ju pra fajtorë që nëse kjo ndodh atëherë ne do të jemi fajtorë. Besoj që ata politikanë që duhet të marrin vendim në Bosnje Hercegovinë të jenë të vetëdijshëm për faktin që nuk kanë të drejtë t’u bëjnë këtë as transportuesve të tyre, as fermerëve, as tregtarëve”, tha ai.

Ndryshe, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në kuadër të “Ballkanit të Hapur” kanë nënshkruar katër marrëveshje të bashkëpunimit sot në Ohër:

-Marrëveshje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Shpërndaje në: