Rama planifikon ndërtimin e shtatë shkollave gjatë mandatit 4-vjeçar

Rama planifikon ndërtimin e shtatë shkollave gjatë mandatit 4-vjeçar

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se gjatë mandatit 4-vjeçar synon të ndërtojë shtatë shkolla në zona të ndryshme të Prishtinës.

Ai ka thënë se mungesa e shkollave në disa zona, si Veternik, Sofali, apo Mat, që janë zhvilluar shpejt, por kjo nuk është ndjekur edhe me infrastrukturë shkollore. Ai thotë se kjo po ndikon në ngarkim edhe të trafikut.

“Mungesa e shkollave u shkakton prindërve stres vazhdimisht. Në vend se ta kenë një shkollë afër 500 metra, ata duhet të zgjodhën e ta dërgojnë me veturë fëmijën në shkollë. Hynë në trafik. Nga Veterniku e dërgojnë fëmijën në shkollë në Ulpianë, Breg të Diellit apo Dardani. Përveç stresit në trafik, edhe shkollat janë të stërngarkuara. Më pas edhe parkingjet po ngarkohen, e po krijohen edhe stres të prindërit e të fëmijët. Në periudhën 4-vjeçare do të ndërtojmë shtatë shkolla në lagjet që i përmenda, disa janë në projekt, por nuk kanë ndodhur. Do i iniciojmë menjëherë që t’ia mundësojmë lagjeve e prindërve të kenë shkollat për fëmijët e tyre”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë po ashtu se në zonat nga qendra e Prishtinës shkollat duhet të punojnë me dy ndërrime për shkak të stërngarkesës. Ai ka thënë se synon që të mos ketë klasë me mbi 25 nxënës.

“Është me rëndësi të kemi mësim tërëditor e të mos kemi mbi 25 nxënës. Momentalisht kemi dy ndërrime, por nëse bëhet mësimi tërëditor, i pamundësohet fëmijëve tanë të kenë aktivitete ekstra-kurrikulare. Fëmijët tanë duhet të kenë qasje në sport, art e programim, të mundësohet që ata të prezantojnë idetë e tyre në mënyrë publike. Të ngrehim vetëbesimin e fëmijëve tanë. Të kenë mundësi të aftësohen e të ndërlidhen me kulturën, artin e sportit. Në bazë të sportit e kulturës po njihemi ndërkombëtarisht si vend. Të aftësojmë fëmijët tanë, në vend se t’i kemi vetëm tre në sporte, të kemi 100”, tha Rama.

Shpërndaje në: