Rashiq: Të gjithë po duan zgjedhje, vetëm Mustafa jo

Rashiq: Të gjithë po duan zgjedhje, vetëm Mustafa jo

Ai në një intervistë për lajmi.net flet për rëndësinë që ka reforma zgjedhore e iniciuar nga presidenti Thaçi, ndonëse e vlerëson si shumë të vonuar nismën e tillë.

Rashiq e kritikon ashpër partnerin e tyre të koalicionit LDK-në dhe PDK-në për moskomunikim si dhe siç tha ai një seri nënçmimesh që u janë bërë Listës Serbe nga ana e tyre.

Intervista:

Lajmi.net: Z. Rashiq, janë mbajtur dy takime  me përfaqësues politik për reformën zgjedhore të thirrura nga presidenti Hashim Thaçi. Si e vlerësoni ju këtë proces dhe a jeni të gatshëm të jepni kontributin tuaj?

Rashiq: Po presidenti ka organizuar  konsultime sa i përket  reformës zgjedhore, por edhe pse po vonojmë shumë sepse me sa e di unë  ideja e reformës zgjedhire ka nisur prej  2011-ës dhe  asgjë nuk ka ndodhur prej atëherë deri më sot, kjo është një iniciativë korrekte dhe është dashur të ishte edhe më herët. Mendoj që temat që janë prezantuar në dy takimet e fundit  janë interesante dhe  kjo në esencë ka ndikim në  procesin zgjedhor . Një prej temave që është kryesore  është zgjedhja e presidentit  në mënyrë direkte edhe jo si deri më tash sepse kjo mënyrë direkte e jep mundësinë që kandidati të jetë cilido person e që në aspektin demokratik është shumë mirëpritëse.

Nëse nuk bëhen ndryshime në ligjin dhe kushtetutën për zgjedhjet atëherë kjo mund të ketë ndikime në 20 apo 30 vitet e ardhshme. Shpresoj që të kjo të përshpejtohet dhe të bëhet një punë eficiente.

Lajmi.net: Kohën e fundit në Kosovë është hapur tema e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mendoni ju se është e nevojshme një gjë e tillë?

Rashiq: Besoj shumë se zgjedhjet do te ketë. Dhe ato do të mbahen në fillim të vitit tjetër, pra në muajin  mars të vitit 2017. Të gjithë po e thonë se zgjedhje do të ketë dhe është i vetmi kryeministri Mustafa që insiston se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018 dhe jo më herët.

Lajmi.net: Lista serbe tash e  disa muaj i ka bojkotuar institucionet e vendit, si në Qeveri ashtu edhe në Kuvend. A ka diçka konkrete në lidhje me kthimin tuaj?

Rashiq: Ne e kemi suspenduar punën në Parlament dhe Qeveri  për shkak të një  nënçmim të Listës ku për krejt ato temat që janë më rëndësi sikur Demarkacioni dhe tema tjera ne nuk jemi konsultuar dhe ky ka qenë një reagim normal sepse nëse ju jeni  partner koalicioni  që kërkon bashkëpunim dhe nga ana tjetër kjo nuk ndodh, atëherë u vetmi mekanizëm është  tërheqja apo suspendimi i përkohshëm. Se kur mund të kthehemi, unë kisha thënë pas  tregimit të dëshmive që ne mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë. E njëra nga ato dëshmitë është edhe marrëveshja e telekomunikacionit  që ndoshta nuk është idealja, pasi asnjëra nga marrëveshjet nuk janë ideale  por kjo me telekomunikacion është një hap pozitiv. Besoj që nëse do të ketë një iniciativë shtesë për formimin e grupit përgatitor për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe  me një vendim të qeverisë  ku mund të konstatohet që një grup është formuar apo nëse aktualizohet tema për përgatitjen e statutit  për  Asociacionit e komunave me shumicë serbe atëherë mund ta gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe kjo mund të ishte arsyeja që ne mund të ktheheshim në punë.

Lajmi.net: Çka nëse nuk ndodh gatishmëria e Qeverisë që të bëjë përpjekje në përmirësimin e bashkëpunimit më Listën  Serbe?

Rashiq: Nëse kjo nuk ndodh, atëherë  besoj se do të presim deri në momentin  kur ndodh që të shkohet në zgjedhje të parakohshme  sepse  në këtë formë as ne  nuk mund të jemi  të suspenduar shumë gjatë sepse kjo nuk ka kuptim sepse nëse kjo zgjat më shumë se tre muaj atëherë duhet të vendosim ose të ndahemi ngas koalicioni ose  të kërkoni  zgjedhje të parakohshme.

Lajmi.net: A është edhe heqja e ligjit për Trepçën kusht për kthimin tuaj?

Rashiq:  Pas vendimit të Gjykatës kushtetuese  nuk besoj që dikush guxon ta  ndërron diçka në lidhje me Trepçën për momentin, sepse presidenti e ka nënshkruar ligjin që dmth kjo punë është e kryer, mirëpo nëse dëshirojmë të rregullojmë diçka atëherë prej fillimit duhet të niset procedura. Kështu siç është ne do të kërkojmë  mundësi tjera, kam propozuar që të bëhet një arbitrazh  ndërkombëtar por është paksa sfiduese sepse duhet të jenë të dyja palët që pajtohen për këtë gjykatë. Unë i propozoj Beogradit dhe Prishtinës që ta bëjnë një gjë të tillë sepse pa atë nuk do të ketë një implementim të ligjit sepse nëse ligji mbetet kështu si është atëherë ai do të jetë siç e quajmë ne “germë e vdekur në letër” dhe nuk do të kemi rregullim të problemit të Trepçës por do të kemi hapjen edhe të një problemi tjetër. Forma me të cilën është aprovuar ligji është naive dhe jo profesionale./Lajmi.net

Shpërndaje në: